Sot është ditë zgjedhjesh për të burgosurit, të sëmurët dhe të pafuqishmit. Për zgjedhjet presidenciale kanë mundësi të votojnë 2147 të burgosur apo të paraburgosur në 14 Institute të sanksionimit dhe ndëshkimit, ndërsa për zgjedhjet parlamentare numri është 2140. Sa i përket të sëmurëve të regjistruar për të votuar, për zgjedhjet presidenciale janë 11.095 votues dhe për zgjedhjet parlamentare 11.197 votues. Sot voton edhe diaspora, ku janë regjistruar 2569 mërgimtarë për të votuar në përfaqësitë tona diplomatike-konsullore jashtë vendit, por vetëm për zgjedhjet presidenciale, ndërsa për zgjedhjet parlamentare nuk do të votojnë për shkak se numri i votuesve të regjistruar nuk ka qenë i mjaftueshëm. Megjithatë, rezultatet e ditës së sotme të zgjedhjeve do të publikohen nesër, kur do të përfundojë edhe votimi. Sipas zëdhënësit të KSHZ-së, Admir Shabani, sot votimi po zhvillohet pa probleme.
“Gjatë ditës së sotme ne komunikojmë vazhdimisht me komisionet komunale zgjedhore, të cilët na bëjnë me dije se shpërndarja e materialit tashmë ka përfunduar, gjithçka po zhvillohet ashtu siç duhet dhe menjëherë pas kësaj po vazhdon votimi i kategorive të veçanta të personave që po zhvillohet sipas rendit, duke përfshirë këtu qendrat e votimit që hapen në burgje, Qendrat e Përkujdesit jashtë Familjes e kështu me radhë”, deklaroi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së
Paralelisht me votimin e sotëm për kategorinë e veçantë të qytetarëve, po përfundojnë përgatitjet për ditën e nesërme të zgjedhjeve në të gjithë territorin e vendit. Shabani thotë se janë në fund të përgatitjeve dhe nuk presin probleme.
“I gjithë materiali, fletëvotimet, procesverbalet, ditarët për regjistrimin e ngjarjeve, pajisjet e kështu me radhë tashmë janë dorëzuar në komisionet komunale zgjedhore, siç e përmenda tashmë janë shpërndarë në këshillat zgjedhor. Në përgjithësi, gjithçka është gati për nesër dhe praktikisht duke pasur parasysh këto përgatitje, presim, të paktën në aspektin teknik, që dita e zgjedhjeve të kalojë pa probleme”, pohoi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.
Zëdhënësi i KSHZ-së pret që edhe pse po zhvillohen zgjedhje të dyfishta, rezultatet fillestare do të dihen shumë shpejt. Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues. Diferenca në numrin e votuesve është 1033 dhe kjo është për shkak të votuesve që kanë mbushur 18 vjet. Në këto zgjedhje do të jenë mbi 2000 vëzhgues vendas dhe të huaj dhe rreth 80 gazetarë të huaj.
