Votimi me gjurmë gishti do të jetë i sigurt, Dashtevski nuk pret të ketë probleme si në zgjedhjet e kaluara

TË FUNDIT

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pret që së shpejti të bëhen ndryshime ligjore me të cilat edhe nga aspekti juridik do të mund të votohet me gjurmë gishti. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, thotë se duhet dakorduar edhe detajet teknike rreth transferimit të të dhënave të cilat i ka MPB-ja, e të cilat KSHZ-ja i shfrytëzojë gjatë votimit me gjurmë të gishtave. Ai shpjegon se kur votuesi do ta japë gjurmën e gishtit, do të dalin të dhënat e tij, me çka do të shmangen parregullsitë zgjedhore.

“Së pari, nëse ka votuar në një vend tjetër, do të ndizet drita e kuqe e skenerit dhe do të dihet se ai nuk ka të drejtë që të votojë këtu, kjo është ideja, normal se kur të japë gjurmë gishti dalin të dhënat se për kë bëhet fjalë. Nëse ka votuar, atëherë sistemi lajmëron se ky person ka votuar dhe se nuk mund të votojë dy herë dhe nuk mund të votojë për dikë tjetër”, sqaroi Dashtevski.

Por, sa është shkalla e sigurisë kibernetike të sistemit të tillë dhe nëse ekziston ndonjë rrezik për keqpërdorim duke marrë parasysh se bëhet fjalë për të dhënat e qytetarëve. Kjo pyetje po parashtrohet pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare ra sistemi i KSHZ-së. Dashtevski thotë se në lidhje me këtë kanë biseduar edhe me ministrin e brendshëm Oliver Spasovski dhe se nuk po pret që të ndodhë diçka e ngjashme.

“Atë që do ta bëjnë ata do të jetë me mbrojtje maksimale, për shkak se MPB-ja ka mbrojtje më të madhe dhe të mos hyjmë në atë, ne kemi diskutuar për sigurinë kibernetike dhe sollëm vendim edhe për sigurinë e sistemit IT se si të ndiqet kjo procedurë. Vendosëm që përfaqësuesit e MPB-së tërë kohën të bëjnë kontroll”, tha Dashtevski.

Dashtevski siguron se sistemi i këtillë do t’i sigurojë në shkallë më të lartë këto zgjedhjet krahasuar me sistemin paraprak me spërkatës dhe UV-llamba. Për votim me gjurmë gishti që nga fillimi insiston kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili mendon se nëse nuk vendoset kjo metodë, do t’u vidhen votat.

Kryeministri Zoran Zaev kërkoi që sa më shpejt të fillojë procesi i blerjes së terminalëve për votim me gjurmë gishti për zgjedhjet lokale.