Vota shqiptare në Kërçovë është e përçarë, do të kemi kandidatin tonë, tha Taravari

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët ende nuk ka vendosur, por mendon të kandidojë edhe në Kërçovë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Siç bëri të ditur sekretari i përgjithshëm i ASh-së, Arben Taravari këtë mendojnë ta bëjnë, pasi siç tha, vota shqiptare është e përçarë në Kërçovë.

“Për Kërçovë nuk kemi ende një vendim, por siç e dini, tani ka të shpallur dy kandidatë. Njëri është kandidat i BDI-së, tjetri është kushëriri i Ali Ahmetit. Ne s’kemi vendosur, por mendojmë për kandidaturën tonë, pasi ta shpallnim ne kandidaturën e dytë, do të thonin se ne e përçajmë votën shqiptare, tash votën e shqiptarëve nuk e përçan Aleanca dhe Alternativa, por tash vota e shqiptarëve është e përçarë atje”, tha Taravari, transmeton TV21.

Tërë këtë siç tha ai, e bëjnë për të mirën e shqiptarëve.

“Qëllimi është shumë fisnik, që të bëhet ndryshimi. Shqiptarët atë e kërkojnë dhe e duan”, tha Taravari.

Paraprakisht, njoftoi se pritet edhe finalizimi i marrëveshjes për koalicion mes ASh-së, Alternativës dhe VMRO-DPMNE-së e cila me shumë gjasë pritet të publikohet javën që vjen./TV21