Von der Llajen: Bullgaria të mos pengojë Maqedoninë

TË FUNDIT

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulla von der Llajen gjatë vizitës së saj në Sofje porositi se Bullgaria duhet të kontribuojë në vendimin për fillim të negociatave të Maqedonisë dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Këtë vendim, Këshilli Evropian e solli para dy vjetëve, theksoi Von der Llajen, në konferencën për media me kryeministrin bullgar, Kirill Petkov, duke rikujtuar edhe për obligimin që ka të bëjë me realizimin e të drejtave të minoriteteve.

“Dua t’ju rikujtoj se në vitin 2020 Këshilli Evropian solli vendim të madh për një hap përpara dhe tha – tani është koha, siç premtuam t’i nisim negociatat aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Këshilli Evropian konfirmoi se kjo është një fjalë detyruese. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta realizojmë bashkërisht. E për ju, dua të them shumë qartë se tema për mbrojtjen e pakicave është vlera thelbësore e Bashkimit Evropian”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se përparojnë kontaktet dhe negociatat me Bullgarinë, por se ende nuk ka zgjidhje përfundimtare. Duhet zgjidhje e shpejtë por jo e përshpejtuar, tha ai. Në lidhje me akuzat e opozitës se pushteti udhëheq negociata të fshehta me Bullgarinë, Kovaçevski i hodhi poshtë si të pabaza.

“Nuk ka asnjë negociatë të fshehtë e as një marrëveshje të fshehtë. Ju e dini se në marrëdhëniet me Bullgarinë kemi marrëdhënie të cilat po bazohen në komunikim të sinqertë mes dy qeverive, mes dy kryeministrave dhe tashmë punojnë grupet e punës me rezultate konkrete. Për momentin punojnë në shkëmbim të ideve për çështjet e hapura politike, e pasi të ketë dokument ose zgjidhje që është re pranueshme për të dyja palët, atëherë do të njoftohet. Për momentin zgjidhje e tillë që është e pranueshme nuk ekziston”.

Pasi dje akuzuan se pushteti lidh marrëveshje të fshehta me Bullgarinë, opozitarja VMRO-DPMNE sot e thirri kryeministrin Dimitar Kovaçevski që para deputetëve të shpjegojë se për çfarë negociohet me Sofjen zyrtare. Kërkesën e nënshkruan deputetët e VMRO-DPMNE-së me të cilën kërkojnë që para komisionit për politikë të jashtme të prezantohen dokumentet për të cilat negociohet.

“Sot dërguam kërkesë deri te kryeministri Kovaçevski që gjatë muajit prill të dalë para komisionit për politikë të jashtme dhe t’i prezantojë draft dokumentet për të cilat qeveria e Maqedonisë negocion me Sofjen zyrtare që të mundemi në një proces të përbashkët e gjithëpërfshirës t’i shqyrtojmë këto çështjet e rëndësishme për marrëdhëniet bullgaro-maqedonase por edhe për euro integrimin”.

Kohë më parë ministri i jashtëm Bujar Osmani tha se ka persona nga institucione maqedonase që kanë telefonuar në Bullgari me qëllim që të mos zgjidhte kontesti. Këtë sot e konfirmoi edhe kryeministri Kovaçevski i cili edhe pse nuk deshi të zbulonte se çfarë është ndërmarrë, megjithatë tha se po veprohet për këtë rast.