VMRO: Zgjedhjet s’janë kusht për heqjen e “Përzhinës”! Partitë në pushtet pajtohen, por kërkojnë paraprakisht të ketë konsensus

TË FUNDIT

Me procedurë të shkurtuar të sillen ndryshimet e Ligjit për Qeveri, të cilat kanë të bëjnë me heqjen e Qeverisë së Përzhinës, gjegjësisht qeverisë teknike para zgjedhjeve. Këtë, në koordinimin e sotëm te kryeparlamentari, Talat Xhaferi e kërkoi grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, i cili sot në Kuvend e dorëzoi propozimin. Ata kërkuan që për heqjen e Qeverisë teknike të diskutohet në seancën e së mërkurës. Edhe pse këmbëngulin që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, megjithatë thonë se ato nuk janë kusht për sjelljen e ndryshimeve të ligjit. 

 “Me këtë propozim ligji, parashikojmë dhe kërkojmë heqje të dispozitave të ligjit për mënyrën  e zgjedhjes së  qeverisë që parasheh që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të zgjidhet qeveria e re kalimtare. Për momentin, në kohë krize kur mbizotëron kaos i përgjithshëm në Maqedoni, shteti nuk guxon dhe nuk mund të humbë asnjë  ditë, e jo 100 ditë për  qeveri teknike. Nuk është e kushtëzuar, kërkojmë që nga ligji për qeveri të hiqen këto dispozitat për shkak të jofunksionalitetit të tyre”, tha Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Nga partitë në pushtet në përgjithësi e përkrahin propozimin  për shfuqizim të qeverisë  teknike megjithatë kërkojnë  kjo gjë paraprakisht të harmonizohet  dhe të propozohet me konsensus të të gjitha partive.

 “Është mirë që VMRO-DPMNE pas një periudhe  të gjatë  pranon  se shteti ynë  ka institucione që mund të zbatojnë  zgjedhje të drejta dhe demokratike. Sipas marrëveshjes  së Përzhinës, ndryshimet  e ligjit për  qeveri  duhet të bëhet me konsensus mes 4 partive më të mëdha në Kuvend e jo në mënyrë të këtillë me vullnet të njëanshëm të një partie. Së dyti, tajmingu i dorëzimit të këtij ligji kur të gjithë  e dimë  se nuk do të ketë  zgjedhje të parakohshme parlamentare”, theksoi Jovan Mitrevski, coordinator i LSDM-së.

Me qëndrim dolën edhe nga Lëvizja Besa, thonë se janë për shfuqizim të qeverisë teknike megjithatë kërkojnë  të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Iniciativa për ndryshimin e ligjit për qeverinë, respektivisht heqjen e qeverisë teknike si një hap para

mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, është shumë e qëlluar dhe do të ketë përkrahjen e deputetëve

të Lëvizjes BESA. Ne riafirmojmë qendrimin tonë se shteti ka nevojë për institucione stabile, qendrueshmëri politike dhe hapa konkret për rimëkëmbje ekonomike. Për të siguruar këtë është më se e nevojshme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, prandaj heqja e procedurave për qeveri teknike është një hap për përshpejtimin e daljes të vendit nga kriza”, thonë nga Lëvizja Besa.

Dje kërkuam qëndrim nga Alternativa  dhe ASH-ja, të cilat po ashtu mendojnë se duhet të shfuqizohet qeveria teknike për  shkak se, siç theksuan nga Alternativa, ajo u tregua si model i dështuar. Realizimi i  zgjedhjeve me qeverinë e  Përzhinës, përkatësisht me qeveri teknike, është dakorduar mes  partive në vitin 2016, që parasheh që 100 ditë para zgjedhjeve  të emërohet kryeministër nga partia në pushtet, ndërsa opozita t’i marrë ministrinë  e punëve të brendshme, atë për punë dhe politikë sociale dhe tre zëvendës ministra.