VMRO publikoi 4 emra për “pasuri të fshehur”! Kovaçevski: Nëse kanë njohuri le t’i dorëzojnë në Antikorrupsion

TË FUNDIT

Analisti Albert Musliu, avokati Ivica Jevtiq, drejtori i “Pyjeve të Maqedonisë”, Valentin Gruevski dhe anëtari i Bordit Drejtues të “Shtëpisë së Shëndetit” në Berovë, Novica Peçinski, janë emrat për të cilët VMRO-DPMNE pretendon se kanë “prona të fshehta”, siç janë kompani ndërtimi, shtëpi dhe automjete të shtrenjta.  Brane Petrushevski nga kjo parti, tha se bëhet fjalë për persona që kanë raporte të drejtpërdrejta me kryeministrin Kovaçevski i cili i ka emëruar në pozita shtetërore.

“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit paraqitet gjithmonë kur duhet të mbrojë skandalet që lidhen me pushtetin. Është obligim ligjor i KShPK ta kryejë punën e tij për të cilën merr para direkt nga buxheti i Republikës së Maqedonisë. Ne kemi një institut “informacion i marrë nga opinionin publik”, shoh në media se kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit e ka dëgjuar zërin tonë dhe nuk ka absolutisht asnjë pengesë që të veprojë në përputhje me ligjet dhe në përputhje me atë për të cilën është paguar që ta bëjë në Republikën e Maqedonisë”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

Kryeministri Kovaçevski thotë se nuk ka asnjë njohuri për aferën për të cilën po flet VMRO-DPMNE dhe e porositi se nëse ka informacione të këtilla, t’i dorëzojë në Komisionin Antikorrupsion.

“Të gjitha gjërat për të cilat ka indikacione të caktuara duhet të dorëzohen në Komisionin Antikorrupsion, sepse çdo zyrtar është i detyruar ta raportojë në pyetësor atë që ka fituar gjatë jetës së tij, ashtu siç kam bërë unë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian kishte kritika për shkak se Ligji për prejardhjen e pronës nuk është votuar deri tash. Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski thotë se pret që ky ligj të përpilohet së shpejti dhe shton se tashmë ka mundësi për të vërtetuar prejardhjen e pasurisë.

“Me përgjegjësi të plotë pohoj se edhe pa këtë ligj, edhe para miratimit të tij, ekzistojnë instrumente dhe mekanizma për të vërtetuar dhe për të zbuluar gjendjen e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Presim që grupi i punës të dalë me një draft-version dhe sapo ta marrim draft versionin, menjëherë do të japim kontributin tonë për sjelljen dhe rrumbullakimin e kësaj tërësie legjislative”, deklaroi Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Ditëve të fundit, VMRO-DPMNE-ja pohonte se ka dijeni se 123 zyrtarë nuk e kanë paraqitur pasurinë e tyre në vlerë prej rreth 30 milionë eurove. Përveç emrave të këtyre funksionarëve që u bënë me dije sot, nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se nesër do të vazhdojnë të publikojnë edhe emra të tjerë.