Fronti Europian u shpreh kundër propozim ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Deputetja Rina Ajdari theksoi se ndryshimet e propozuara janë të papranueshme pasi janë bërë në bazë të marrëveshjeve të brendshme politike. Ajo deklaroi se ndryshimet nuk duhet të kalojnë përmes procedurës së shkurtuar dhe kërkoi që të zhvillohet një debat i hapur, ku të gjithë partitë politikë të përfshihen për të arritur një konsensus të përbashkët.
“Është e papranueshme që ndryshime kaq të rëndësishme të bëhen si rezultat i vullnetit të njëanshëm politik duke pasur parasysh se zgjedhjet vëzhgohen nga OSBE dhe zakonisht janë marrë parasysh rekomandimet e raportit të OSBE, kur janë bërë ndryshime të caktuara, por fatkeqësisht kësaj radhe propozim ndryshimet janë bërë në zyra të VMRO-së dhe LSDM-së duke mos implementuar asnjë rekomandim të raportit”, tha Rina Ajdari, deputete e Frontit Europian.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski thotë se nëse nuk ndryshohet ligji tani, listat e pavarura nuk mund të kandidojnë në zgjedhje për shkak të boshllëkut ligjor. Ai sqaron se janë vendosur kërkesa të ndryshme për mbledhjen e nënshkrimeve, në varësi të madhësisë së komunave, për të siguruar një proces më të drejtë dhe të balancuar.
“Ne e kemi bërë hap pas hapi, me qëllim që tu jepet shanse, e drejtë dhe të ketë dallime në të gjitha komunat, pra komunat deri në 10 mijë votues, të mbledhin 100 nënshkrime, deri në 20 mijë votues 200 nënshkrime dhe kështu hap pas hapi deri te komunat më të mëdha”, tha Nikolla Micevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Në tekstin e propozimt thuhet se ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin e procesit zgjedhor dhe garantimin e votës së lirë, të barabartë dhe demokratike, duke u bazuar në rekomandimet e ODIHR.
Paraprakisht, edhe shoqata qytetare reaguan se Kodi zgjedhor është bërë armë kundër të pavarurve. Ata theksuan se me Propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim, shkelet vendimi që e solli Gjykata kushtetuese për heqje të ndryshimeve paraprake kundërkushtetuese të Kodit zgjehdor, që Kuvendi i ka sjellë në mars të vitit 2024. Sipas tyre, e njejta ka ndodhur edhe me propozimet e tanishme.
