VMRO kërkon zgjedhje, LSDM dorëheqjen e Mickoskit! Apasiev vonë mbrëmë bëri thirrje për radikalizëm përmes protestave

TË FUNDIT

Edhe pse nga dje deri sot Kastriot Rexhepi për tre herë u prononcua, VMRO-DPMNE edhe më tutje pohon se ai është i rrëmbyer. Tani kjo parti kërkon që menjëherë të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare për zgjidhjen e  krizës politike.

 “Vetëm zgjedhje të shpejta  janë zgjidhje për krizën politike drejt së cilës Zaevi e çon shtetin, me dhunë dhe metoda jodemokratike, në krizë politike  dhe pasiguri. Dje Zaev duhej të rrëmbente një deputet    që në një farë mënyre ta vazhdojë mandatin e tij  dhe mundësinë për të vjedhur. Me mjete jodemokratike është ushtruar presion  ndaj deputetëve të opozitës  të cilët  e nënshkruan rrëzimin e  qeverisë  së Zaevit, që të heqin dorë nga kjo gjë“, theksoi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Edhe Dimitar Apasiev mbetet në qëndrimin e njëjtë se Rexhepi është rrëmbyer. Vonë mbrëmë ai bëri thirrje për radikalizëm të gjendjeve përmes protestave masive dhe bllokim të Kuvendit.

 “Demokracia parlamentare është paralizuar, suspenduar, ky është precedent i cili do të na kthehet si bumerang. Kur mundeni të rrëmbeni një deputet dhe ta mbani, nuk e di nëse e keni parë videon, mua më dukej si ata të robëruarit që janë para ekzekutimit nga organizatat terroriste. Mendoj se opozita duhet të mendojë për radikalizmin  e metodave. Kjo do të thotë protesta, bllokada, paralizë të Kuvendit. Kuvendi për momentin në fakt nuk ekziston, për shkak se situata është 60 me 60”, tha Dimitar Apasiev, E Majta.

Nga LSDM-ja kërkojnë që Mickoski t’u kërkojë falje qytetarëve dhe të japë dorëheqje. U tregua se me mashtrime dhe manipulime nuk mund  të sigurohet shumicë parlamentare, thonë nga partia në pushtet.

 “Në vend që të turpërohet, të kërkojë falje, të mbajë përgjegjësi, Mickoski dhe VMRO-DPMNE vazhdojnë me të pavërtetat për  rrëmbimin e deputetit. Në kohë kur ky deputet publikisht tha se e ka kërcënuar opozita. Ata të cilët me letra me vlerë mbanin deputetë, sot gojën e kanë plotë të pavërteta. Andaj, dorëheqje. Është turp që të mos kërkosh falje  për të gjitha gënjeshtrat dhe të mos japësh dorëheqje“, pohoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënës i LSDM-së.

Dje në Kuvend nuk u votua mocion mosbesimi i Qeverisë, pasi deputeti i Besës, Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në Kuvend me çka opozita nuk e kishte shumicën e nevojshme.