VMRO-ja e pasigurt nëse do të hyjë në qeveri teknike/ LSDM: Këto politika destruktive i kemi parë edhe më herët

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE ende nuk ka vendim nëse do të kyçen në qeverinë teknike 100 ditë para zgjedhjeve të 8 majit. Duke filluar nga 28 janari, me Qeverinë do të udhëheqë kryeministri teknik, Talat Xhaferi, por nga VMRO janë të pakënaqur me nominimin e tij, andaj çështjen do ta diskutojnë në parti.

“Ajo që mund të them është se në periudhën në vijim, organet e VMRO-DPMNE-së do të sjellin vendim nëse do të merr pjesë dhe eventualisht me cilat emra do të merrte pjesë në një qeveri të tillë.”- tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Për LSDM-në bojkotimi eventual i qeverisë teknike nga VMRO-DPMNE nuk është diçka e re. Siç thotë deputetja e LSDM-së Daniela Markoska, politikat destruktive dhe bllokim të Kuvendit janë gjëra që janë parë edhe më herët.

“Nëse DPMNE kërkon alibi për humbjen që i pret në zgjedhje, nuk do kenë sukses. Politikat destruktive të DPMNE-së, bllokimet, përpjekjet për të penguar vendin, të bllokohet Kuvendi, i shohim me vite prapa. DPMNE nuk di tjetër gjë, sepse nuk ka ofertë për qytetarët. Nuk janë diçka e re përpjekjet për krijim të krizave, fola në press për ta. Ashtu si nuk arritën deri tani, ashtu nuk do arrijnë as këtë herë.”- tha Daniela Markoska, deputete e LSDM-së.

Përndryshe sipas ligjit për Qeveri, së pari kryeministri aktual jep dorëheqje dhe Kuvendi duhet ta konstatojë. Kjo do të thotë edhe dorëheqje e gjithë qeverisë. Presidenti i shtetit ia jep mandatin kandidatit për kryeministër teknik për përbërje të kabinetit ndërsa të njëjtin e miraton Kuvendi me shumicës votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo për Punë Sociale do t’i takojnë VMRO-DPMNE-së. Mandati i Qeverisë teknike zgjatë derisa të konstatohet përbërja e re pas zgjedhjeve të 8 majit.