VMRO: Filipçe të hetohet për Onkologjinë! Ish-ministri i Shëndetësisë nuk ndjehet fajtor

TË FUNDIT

VMRO DPMNE kërkon nga kreu i LSDM-së Venko Filipçe të jep përgjegjësi për rastin e Onkologjisë. Sipas partisë së Mickoskit, pacientëve të sëmurë rëndë me kancer iu dha tretje fiziologjike në vend të ilaçeve. Nga VMRO thonë se Filipçe me heshtje pranon fajin.

“Pikërisht për shkak se skandalet më të mëdha korruptive dhe kriminale po ndodhin gjatë mandatit të tij, Filipçe duhet të përgjigjet nëse qëndron ai pas çështjes së fundit gjyqësore në Onkologji, ku u shterën 2.2 miliardë denarë ose 35 milionë euro nga buxheti i shtetit? Ndërsa Filipçe hesht, ne i bëjmë thirrje përsëri Prokurorisë Publike të hetojë rolin e tij në rastin e Onkologjisë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Por, kreu i LSDM-së Venko Filipçe, i pyetur nga gazetarët sot foli duke hedhur poshtë pretendimet e VMRO-së. Filipçe tha se nuk ndjehet fajtor.

“Faj nuk ndjej absolutisht! Mirë që ka proces, ja doli akuza për të nisur proces gjyqësor. Mirë është ta dimë të vërtetën. Së pari, të presim e të shohim çfarë do të tregoj procesi gjyqësor. Në shesh doli një fushatë e rrejshme që VMRO-DPMNE organizonte kundër meje personalisht me Komisionin anketues që përmbante gënjeshtra dhe shpifje kinse unë në kompetencat e mia si Ministër i Shëndetësisë disa punë nuk i kam kryer. Unë i kam treguar edhe në opinion dokumentet se ajo nuk është ashtu”, deklaroi Venko Filipçe – ish-ministër i Shëndetësisë.

Venko Filipçe ishte Ministër i Shëndetësisë në periudhën kur po hetohen nga prokuroria keqpërdorimet e terapive të shtrenjta biologjike, të cilat nuk ju kanë dhënë pacientëve me kancer, por janë shitur. Por, deri më tani organi i akuzës nuk e ka nën hetim Filipçen. Aktualisht Prokuroria Themelore në Shkup ka ngritur dy aktakuza në Gjykatën Penale. Aktakuza e parë, e cila lidhet me operacionet ekonomike të Klinikës, përfshin dy individë. I pandehuri i parë, në cilësinë si drejtor mjekësor, dhe i pandehuri i dytë, në cilësinë si drejtor organizativ i Klinikës, akuzohen për vepra penale në vazhdim – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim. Shumica e veprave penale janë kryer në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022 dhe kanë arritur të bëjnë përfitime të konsiderueshme për të tjerët në vlerë prej 2.2 miliardë denarëve.