VMRO-DPMNE nga nesër fillon me iniciativën për mbledhje të nënshkrimeve të nevojshme për ta kontestuar Ligjin për Regjistrim, paralajmëroi kryetari i partisë, Hristijan Mickoski. Sipas procedurave, së pari duhet të sigurojë 100 nënshkrime të cilat duhet t’i dërgojë te kryetari i Kuvendit, kurse më pas, edhe zyrtarisht do të fillojë grumbullimi i nënshkrimeve. Mickoski e thirri pushtetin t’i mos ekspozojë qytetarët në rrezik, duke këmbëngulur të zbatohet regjistrim elektronik.
“Gjatë ditës së sotme do ta nisim procedurën. Presim që grumbullimi zyrtar i nënshkrimeve të fillojë në fillim të muajit të ardhshëm, sepse procedurat ligjore janë të tilla. Në ndërkohë, Kroacia e prolongoi regjistrimin, Bullgaria fqinje e prolongoi regjistrimin, Serbia e prolongoi regjistrimin, Gjermania e prolongoi, Rumania njësoi, sepse për ta, jeta e qytetarëve është e rëndësishme. Thirrja jonë është nëse me forcë duan ta shtyjnë regjistrimin, atëherë ky proces le të jetë në mënyrë elektronike, e jo i tillë duke e rrezikuar shëndetin e qytetarëve”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Përkundër kërkesës së VMRO-DPMNE për regjistrim të popullsisë në mënyrë elektronike, nga LSDM me qëndrim se lloji i tillë i operacionit statistikor nuk do të japë të dhënat e plota siç nevojiten dhe që duhet të jenë sipas standardeve të Eurostat-it. Nga kjo parti propozojnë regjistrim të kombinuar.
“Që të kemi të gjithë të dhënat relevante, nevojitet model i kombinuari i regjistrimit, përkatësisht përmes kryqëzimit të të dhënave që do të merren nga pyetësorët elektronikë në terren, me të dhënat nga bazat që tashmë ekzistojnë në vend, që të kemi pasqyrë të plotë për të dhënat që na nevojiten, por nuk janë të përfshira në bazat elektronike. Andaj vetëm regjistrimi elektronik nuk është i mjaftueshëm që të merren të dhëna të plota që nevojiten sipas standardeve të Eurostat-it dhe standardeve ndërkombëtare”, theksoi Darko Kaevski – deputet i LSDM-së.
Për Mickoskin regjistrimi i kombinuar i popullsisë përsëri nuk është i pranueshëm për shkak se, siç theksoi, me vetë faktin që personat që do të kryejnë regjistrimin do të duhet të hyjnë në shtëpitë e qytetarëve, vendosen në rrezik nga pandemia. Ligji për Regjistrimin e Popullsisë u miratua para rreth dy javëve me të cilin parashihet operacioni më i madh statistikor të mbahet nga 1 deri më 21 prill të këtij viti.

