Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se Qeveria po mundohet të bëjë falsifikim të regjistrimit të popullsisë. Deputeti i VMRO-DPMNE, Bojan Stojanoski, thotë se në vend të operacionit statistikor, LSDM po bënë marrëveshje politike.
“Zoran Zaev të heqë dorë nga zbatimi talibanez i regjistrimit të popullsisë për shkak se jo vetëm që VMRO-DPMNE nuk do ta njohë por edhe shteti nuk do të ketë të dhëna relevante statistikore. Nga këtu e thërras pushtetin t’i pranojë propozimet që i ka dhënë VMRO-DPMNE. Të blihen 10 mijë terminale për leximin e shenjave të gishtit dhe të regjistrohet popullsia rezidente. Ata terminale do të jenë me mundësi për vendosjen e gjurmës së gishtit dhe vetëm ashtu do të kemi regjistrim real që do të na jap të dhëna reale statistikore”, tha Stojanovski.
Nga ana tjetër ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, thotë se ky propozim i DPMNE është vetëm edhe një përpjekje që të prolongohet regjistrimi i popullsisë.
“Kur një parti disa muaj para regjistrimit të popullsisë që e presim pothuajse 20 vjet, ju jep propozim të blihen dhjetëra mijëra aparate, për blerjen e të cilëve nuk nevojiten vetëm para por edhe periudhë më e gjatë kohore, që në mënyrë praktike dëshmon se përsëri nuk dëshiron të kemi regjistrim. Kjo është e njëjta parti e cila një herë filloi regjistrimin e popullsisë dhe vet i shkelte rregullat e regjistrimit. Shpenzoi 4 apo 7 milion euro dhe në fund tha – nuk vlen”, tha Sheqernska.
Përndryshe, zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha në konferencën për media në Qeveri theksoi se zbatimi i regjistrimit të popullsisë është në interes të të gjithë qytetarëve dhe se nuk duhet më të prolongohet. Ai shtoi se regjistrimi i popullsisë është operacion statistikor dhe në të nuk ka politikë. Nga Qeveria informojnë se ESHS pa pengesa po i kryen të gjithë përgatitjet për mbajtjen e regjistrimit në prill të vitit 2021, ndërsa procesi do të jetë nën monitoring të Eurostat.
