Kemi persona të ri, energjik, që dinë se çfarë duan qytetarët nëpër komunat ku do të jenë kandidatë për kryetarë komunash. Për dallim nga LSDM, ne nuk ofrojmë emra të lodhur. Kështu nënkryetari i VMRO-DPMNE, Aleksandër Nikollovski filloi prezantimin e kandidatëve me të cilët partia opozitare do të garojë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Sot u prezantuan 26 emra, pjesa tjetër do të prezantohet deri në fund të muajit.
Kandidate për komunën Qendër është Natasha Kotllar e cila është njëra prej themeluesve të partisë “Zëri” që është partner koalicioni. Për Kisella Vodën do të garojë Orce Georgievski, këshilltarë aktual i kësaj partie në këshillin komunal, në Petrovec VMRO-DPMNE do të garojë me kryetarin aktual Borçe Mitevski, në Gazi Babë do të garojnë me këshilltarin shtetëror Boban Stefkovski, në Ilinden me Aleksandër Gjorgjievski, kandidatë për Velesin është Marko Kollev, ortopedi Borçe Jovçevski është kandidat për Prilepin, ndërsa për Shtipin, deputeti aktual i kësaj partie Ivan Jordanov.
“Për dallim të LSDM, VMRO-DPMNE po shkon me më shumë emra të rinj dhe energjik, me përvojë shumë të begatshme, profesionale dhe personale, persona të njohur në mjediset ku jetojnë, të gatshëm që t’i përkushtohen komunave që do të udhëheqin. Në zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komune para se gjithash jemi bazuar në mendimin e qytetarëve, po gjithashtu edhe sipas asaj që qytetarët e duan për komunën e tyre”, tha Aleksandër Nikollovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga kjo parti thonë se përqindja më e madhe e të përzgjedhurve janë gjeneratë e re e politikanëve, të njohur në mjediset ku jetojnë dhe me rejting më të lartë sipas mendimit të qytetarëve. Por, ajo që mund të vërehet është se ndër emrat që u prezantuan sot ka vetëm një grua kandidate, Kotllar për komunën Qendër.
“Në raport me kandidatët, ne shikojmë që të përzgjedhim kandidatët më të mirë. Do të ketë më shumë gra, nuk do të jetë vetëm një, andaj në raundin tjetër, nga ajo që tani për tani mund ta them, procedurat nuk kanë mbaruar plotësisht, por mund të paralajmërojë se gjithashtu do të ketë gra kandidate dhe kryetare komunash pas 17 tetorit”, shtoi NIkollovski.
Edhe pse në opinion tashmë një periudhë të gjatë përflitet që Daniella Arsovska do të jetë kandidate e VMRO-DPMNE për Shkupin, Nikollovski tha se vendimin përfundimtar do ta kumtojnë në fund të muajit. Atëherë pritet të publikohen edhe emrat e kandidatëve për komunat tjera./TV21
