Deputetët e VMRO-DPMNE-së deri në Kuvend dorëzuan propozim për shfuqizim të Kodit Etik për sjelljen e deputetëve. Këtë hap vendosën ta ndërmarrin pasi që në seancën e djeshme të Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit nuk nisi debati për propozimin e VMRO-DPMNE-së nëse kryeparlamentari Talat Xhaferi ka shkelur kodin etik, pas incizimit që doli në opinion dhe mbylljes së dyerve të sallës së Kuvendit.
“Duke parë se kjo nuk do të funksionojë, duke parë se jemi në situatë kur kemi shembull evident për mosrespektim të Rregullores, zyrtarëve dhe kolegëve, kërkuam që të diskutohet mbi këtë temë. Vendimi, në fund të fundit është individual, mundej të ishte si të dojë, por debati patjetër duhej të mbahej. Ne u sollëm në situatë që shumica parlamentare të vendosë të mos diskutohet për këtë çështje”- deklaroi Nikolla Micevski, Koordinator I VMRO-DPMNE-së.
Kryeparlamentari, Xhaferi, iu përgjigj kërkesës së Micevskit që Kodi të vendoset në rend dite:
“Po, ashtu është. Është dorëzuar për përkthim dhe pasi të përkthehet do të vendoset në seancën e radhës, siç është procedura për të gjithë. Për këtë arsye, para deputetëve nuk ka nisur procedura legjislative dhe propozimi nuk do të vendoset për votim”- pohoi Talat Xhaferi, Kryetar I Parlamentit.
Pikërisht, për shkak të incizimeve të publikuara nga Kuvendi dhe mbylljes së dyerve të shtëpisë ligjvënëse, opozitarja VMRO-DPMNE dorëzoi kërkesë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit, gjë për të cilën nga Kabineti i Xhaferit javën e kaluar thanë se do të respektohet afati kohor kur do të vendoset në seancë.
