VMRO-DPMNE NUK VOTOI, KOMISIONI PROPOZON MARRJEN E MANDATIT TË GRUEVSKIT

TË FUNDIT

Komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit e votoi propozimin për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit. Për këtë propozim votuan vetëm deputetët e pushtetit, kurse simptomatike ishte ajo që edhe përkundër vendimit të Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së që të përkrahet propozimi, megjithatë anëtarët e Komisionit nga opozita, nuk votuan fare. Në vend të kësaj, ata në fillim, seancën e shndërruan në farsë për atë nëse duhet të debatohet edhe për Pavle Bogoevskin, i cili, siç dihet, paraprakisht paralajmëroi dorëheqjen e tij nga posti i deputetit. Pasi nënkryetari i Komisionit e hodhi poshtë kërkesën e tyre, u kalua në pikën diskutimi për mandatin e Gruevskit. Deputetët e opozitës filluan ta mbrojnë ish-kryetarin e tyre duke thënë se mungesa e tij nga puna në Parlament është e arsyetuar.

“Deputeti Nikolla Gruevski nuk është i arratisur siç e quani ju, ky është person i cili ka marrë azil politik nga vendi i cili është anëtare e BE-së. Rregullorja e Kuvendit të RMV-së lejon paraqitjen e mungesës së secilit deputet i cili është penguar nga arsye të ndryshme të vijë në punë”, theksoi Nevenka Stamenkovska Stojkovski.

Nga LSDM-ja thonë se sjellja e këtillë e deputetëve të VMRO-DPMNE-së është edhe një konfirmim se Hristijan Mickoski dhe deputetët janë marioneta në duart e Gruevskit, ndërsa vendimet e Komitetit ekzekutiv janë hipokrizi tipike.

“Në qëllimin e tyre për ta mbrojtur, deputetët e VMRO-DPMNE-së sot kanë pohuar se arratisja e Gruevskit nga përgjegjësia para ligjit duhet të konsiderohet si mungesë e arsyetuar, imagjinoni, në vend që të bëjnë thirrje për drejtësi dhe për vuajtje të dënimit me burg dhe t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutës së RMV-së”, potencoi Kostadin Kostadinov nga LSDM.

Në profilin e tij të facebook-ut, shkroi edhe Pavle Bogoevski:

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk votuan edhe pse ishin të pranueshëm në sallë. Mbetet të shohim nëse disa prej tyre do të kenë forcë të heqin dorë nga udhëheqësi i tyre në seancën plenare ku do të nevojiten 80 vota PËR marrjen e mandatit të kryetarit të nderit i cili është në arratisje. Letrën për ndërprerjen e mandatit tim do ta verifikoj tek shërbimet pas votimit, pa dallim nga rezultati”, shkruan Pavle Bogoevski.

Për propozimin për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit duhet të vendoset në seancën e ardhshme plenare e cila do të caktohet për më 10 qershor. Për sjelljen e vendimit të tillë duhet shumica prej 2/3, përkatësisht butonin e  gjelbër duhet ta shtypin 80 deputetë.

Përgatiti: Svetllana Unkovska