Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE në konferencën e sotme për media doli me dokument, duke pohuar se kryeministri Kovaçevski në vitin 2001 ka shmangur kryerjen e shërbimit ushtarak, pasi ka arritur të marrë mendim mjekësor se është i paaftë. Ose Kovaçevski ka gënjyer për të mos shkuar në ushtri ose kemi njeri të paaftë për kryeministër, tha Kovaçki, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
“Ky është dokumenti, një fragment nga Libri i Regjistrimeve të ARM-së që është publikuar në rrjetet sociale. Nga ky dokument shihet qartë se Kovaçevski nga ana e mjekëve është shpallur i paaftë. Kjo sjell dy konkluzione – ose Kovaçevski ka keqpërdorur ndikimin e babait të tij, i cili ishte kryetar i Kumanovës dhe funksionar partiak i LSD-së dhe ka marrë mendim të rremë mjekësor ose me të vërtetë është i paaftë. Në qoftë se Kovaçevski nuk ka gënjyer dhe nuk ka mashtruar, atëherë ne për kryeministër të shtetit kemi një njeri të paaftë”, theksoi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Kovaçevski. Ai përmes një kumtese me shkrim hodhi poshtë akuzat se ka shmangur kryerjen e shërbimit ushtarak dhe porositi se VMRO-DPMNE-ja po përdor gënjeshtra dhe ofendime për t’i mbuluar problemet brendapartiake.
“Asnjëherë nuk kam shmangur apo ikur nga përgjegjësia e shërbimit ushtarak. Vetëm njerëz të pandershëm dhe të frikësuar keqpërdorin sfidën e dikujt shëndetësore dhe operacionin kirurgjik që është bërë para 20 viteve, për të mbuluar turpin dhe krimin e tyre. Por, nuk jam i befasuar. Nuk befasohem nga të gjitha gënjeshtrat, shpifjet, lajmet e rreme dhe manipulimet e VMRO-DPMNE-së. Ata nuk ndryshojnë, kurse skandalet në Qytetin e Shkupit vetëm konfirmojnë se partia jo vetëm që nuk është reformuar, por kriminalizohet në mënyrë shtesë”, shkroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
VMRO-DPMNE kërkon dorëheqje nga kryeministri për shkak të dezertimit, kurse nga LSDM-ja akuzojnë se partia e Mickoskit gënjen për ta hequr vëmendjen nga mosmarrëveshjet dhe përçarjet brendapartiake.
