Deputetët e VMRO-DPMNE-së do t’i parashtrojnë kërkesë kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi për vazhdimin e seancës për amendamentet kushtetuese, përkatësisht për zhvillimin e votimit. Ky vendim është marrë pas koordinimit me kryetarin e partisë Hristijan Mickoski.
“Kërkojmë që të mos zvarritet procedura dhe të mos keqpërdoret pozita për të shtyrë seancën e ndryshimeve kushtetuese. Do të respektohet vullneti i qytetarëve dhe interesi i tyre për të mos u dorëzuar para kërkesave për të bërë kompromise në dëm të interesave shtetërore”, thonë VMRO-DPMNE-së.
Ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, përmes një letre bën me dije se kreu aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi, duhet të vazhdojë seancën për amendamentet kushtetuese, ku menjëherë duhet të votohet nevoja për ndryshime në Kushtetutë. Nëse kjo nuk ndodh, thotë ai, atëherë, Xhaferi po e shkel Rregulloren.
“Propozuesi i iniciativës për ndryshimin e Kushtetutës, në këtë rast Qeveria, nuk është dashur t’ia lejojë vetes të iniciojë një procedurë të tillë pa siguruar më parë shumicën prej 2/3 të deputetëve. Sot, më 1 shtator, mbarojnë dhjetë ditët e punës pas hapjes së procedurës dhe mbylljes së debatit për ndryshimin e Kushtetutës në seancën parlamentare të caktuar dhe mbajtur më 18 gusht. Votimi duhet të bëhet jo më vonë se sot. Çdo veprim i kundërt nuk është në përputhje me Rregulloren”, tha Trajko Veljanoski, ish kryetar i Kuvendit.
Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Xhaferi nuk deshën ta komentonin letrën e Veljanoskit dhe kanë dhënë vetëm një koment të shkurtër – “Konkretisht për ndryshimet kushtetuese, kryetari Xhaferi më 21 gusht ka mbajtur një konferencë për media. Kryeministri Kovaçevski tha se seanca do të vazhdojë kur të krijohen kushtet.
“Seanca plenare e Kuvendit për miratimin e amendamenteve ka nisur dhe normal se do të vazhdojë kur të krijohen kushtet e duhura sa i përket numrit të deputetëve që do të mbështesnin një proces të tillë. VMRO-DPMNE më ngjan vërtet si papagall dhe pas deklaratës sime përsëritën të njëjtën gjë se duan zgjedhje. Çfarëdo t’i pyesësh, ata thonë – zgjedhje. Kur i pyet sa është ora, thonë – zgjedhje. A keni një plan – zgjedhje. Çfarë do të bëjmë pas zgjedhjeve – zgjedhje. Dhe këtë e bënë për 11 vjet, zgjedhje pas zgjedhjesh dhe shteti nuk lëvizi asnjë milimetër”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bojan Mariçiq, në edicionin veror të Click Plus në TV21 tha se letrën e ish-kryeparlamentarit Veljanoski e kupton si manovër politike për të forcuar presionin e VMRO-DPMNE-së që menjëherë të votohet për amendamentet kushtetuese.
BOJAN MARIÇIQ, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EUROPIANE
-Rregullorja është e qartë. Ditë për diskutim, pas të cilave diskutimi shterohet. Nuk do të thotë që votimi duhet të bëhet në atë ditë. Për sa u përket ligjeve shumë shpesh, madje edhe për ato me flamur europian që kanë edhe afate, në fund të diskutimit ndërpritet diskutimi dhe votimi bëhet kur mblidhet shumica dhe kur të caktohet vazhdimi i seancës dhe votimi.
Ndryshe, në konferencën për media të mbajtur dhjetë ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, theksoi se është udhëhequr nga një vlerësim politik, por edhe se ka të drejtë të plotë që ta ndërpresë seancën nëse nuk ka shumicë e nevojshme të deputetëve për të marrë vendim.
