VMRO-DPMNE KALLËZIM PENAL PËR RASHKOVSKIN, SEKRETARI GJENERAL I QEVERISË DO SQAROHET TË MARTËN

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE-ja do të dorëzojë parashtresë deri te Prokuroria Themelore Publike sipas informacioneve që qarkullojnë në opinion, se sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, ka kurdisur tenderë. Këtë e paralajmëroi Ivanka Vasillevska, nga VMRO-DPMNE-ja. Kjo pason pas audio-incizimit të publikuar ku siç thuhet, dëgjohet zëri i Rashkovskit, me dy funksionarë të tjerë. Siç publikuan portalet, në atë incizim, Rashkovski ka kurdisur tenderë për kontroll të fluturimeve në favor të kompanisë italiane. Tenderi i përmendur është për furnizimin e sistemit ATM për kontroll të fluturimeve, që është financuar edhe nga Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim.

“Maqedonia është shtet i robëruar, ndërsa njerëzit si kolegu im Rashkovski, për të cilët ekzistojnë dyshime serioze për krim, janë kanceri. Zaev për shkak se hesht, është e qartë se edhe atë e mbron njëjti siç e mbrojti edhe Kurto Dudushin. Heshtja hap dyshim, se mos ndoshta ka pjesë edhe për njeriun e parë të Qeverisë. Është koha për dorëheqje”, deklaroi Ivanka Vasillevska, Anëtare e KE të VMRO-DPMNE-së.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, paralajmëroi se të martën do të mbahet konferencë për media në lidhje me audio-incizimin që e publikuan disa portale.

VMRO-DPMNE-ja me shumë gjasa nuk mund të kuptojë se nuk janë ata që e arsyetojnë dinamikën e veprimit tonë. Kur tashmë treguan se nuk kuptojnë gjuhën angleze dhe nuk dinë çfarë do të thotë Letter of award,  le të  lexojnë se që pardje në gjuhën maqedonase është shkruar se do të ketë konferencë për media për këtë temë”, tha Dragi Rashkovski, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë.

Rashkovski publikoi fotografi, për të cilat, siç thotë, dëshmojnë se vendimi për furnizimin e sistemit ATM për Kontroll të fluturimeve është bërë gjashtë muaj para mbajtjes së takimit nga biseda e incizuar. Siç thotë Rashkovski, bëhet fjalë për kurth politik nga ana e Kliment Çepunjovskit, drejtor i shkarkuar i teknikës së M-NAV. Rashkovski pohon se pikërisht Çepunjovski e ka incizuar bisedën, i cili, siç thotë ai, disa herë është munduar që ta pengojë atë takim. Nga Qeveria thonë se tenderi dhe zgjedhja e ofruesit më të mirë janë bërë në vitin 2016 dhe se e gjithë procedura është ligjore. Nga opozita kërkojnë që Prokuroria menjëherë të reagojë duke pasur parasysh faktin se Rashkovski është kryerës i funksionit Sekretar i përgjithshëm i Qeverisë dhe se ende mund të ndikojë në maskim të rastit si dhe ndaj provave dhe dëshmitarëve.

Përgatiti: Arbana Q.Klimenta