Opozitarja VMRO-DPMNE me akuza për Qeverinë se po e çon vendin në pasiguri energjetike. Nënkryetarja e partisë, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në një konferencë për media publikoi dokument me të cilin pretendon se Qeveria ka refuzuar ndihmën e VMRO-DPMNE-së për blerje të gazit me çmim shumë më të ulët nga çmimi me të cilin blihet tani.
“Në vendin tonë gazi paguhet me çmim deri në 1950 euro për 1000 metër kub, ndërsa çmimi mesatar me të cilin është blerë nga fillimi i sezonit të ngrohjes është 1560 euro. Ky është një dokument i një kompanie tregtare të energjisë që është regjistruar në Zvicër. Në dokumentin i cili i është dhënë “EMV-së Shitje” shihet çmimi dhe sasia që është ofruar. Çmimi për 1000 metër kub normal gaz që i është ofruar EMV-së është 850 euro”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska, VMRO-DPMNE.
Nga EMV-ja reaguan përmes një kumtese me shkrim, duke thënë se me kompaninë që e ka propozuar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski është nënshkruar vetëm një kontratë fillestare, por, siç sqarojnë e njëjta nuk ka dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe referencat e nevojshme.
“Kompania në fjalë është kontaktuar drejtpërdrejt nga personat përgjegjës në SH.A. EMV, kurse ishte ftuar edhe në disa thirrje për blerje të gazit natyror. Nga ana jonë janë bërë përpjekje që të jepet ofertë e plotë që do të mund të shqyrtohet në përputhje me thirrjen për blerje. Nuk është dorëzuar ofertë e plotë, ndërsa në mënyrë shtesë na informuan se për një periudhë të caktuar kompania nuk do të jetë në gjendje të dërgojë gaz”, thonë nga EMV.
Kryetari i EMV-së Vasko Kovaçevski, në takimin e sotëm me kompanitë-anëtare të Odës Ekonomike, theksoi se në kushte të një krize të rëndë energjetike dhe mungesës së burimeve energjetike, këtë vit prodhimi i energjisë elektrike në EMV është rritur për 27%.
