VMRO-DPMNE do të dorëzojë rezolutë për Bullgarinë! LSDM: Identiteti maqedonas është i pranuar, ky është vetëm populizëm

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE paralajmëron se javën e ardhshme do të dorëzojë në Kuvend Rezolutë dhe do të kërkojë konsensus shtetëror për linjat e kuqe të Maqedonisë në negociatat me Bullgarinë në lidhje me gjuhën, historinë dhe identitetin. Këtë e paralajmëroi lideri i partisë, Hristijan Mickoski, i cili pohon se Rezoluta nuk është e tyre por e ASHAM, KOM, Universitetit Krili dhe Metodi.

 “Të respektohen pa rezerva njohurit e shoqërisë maqedonase, shkencat kulturore dhe humanitare në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësia historike, gjuhësore, kulturore dhe religjioze. Gjuha maqedonase dhe dialektet e saja kanë vazhdimësi të vet hapësinore dhe kohore”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

VMRO-DPMNE edhe paraprakisht kërkonte që Kuvendi të miratojë Rezolutë ku do të ceken linjat e kuqe të Maqedonisë, si pandan i rezolutës bullgare. Por atëherë nuk u pranua me arsyetim se nëse edhe ne miratojmë rezolutë atëherë procesi tërësisht do të bllokohet. Nëse nuk mbështetet kjo rezolutë atëherë do të konfirmohet se negociohet për identitetin maqedonas, tha Mickoski.

“Ta mbështesim këtë dokument së bashku në Parlament, i cili, përsëris, duhet të jetë mbi-partiak, i cili duhet të marrë mbështetje shoqërore. Me grupet e deputetëve nuk kemi pasur kontakt për arsye të thjeshtë që të gjithë publikisht thonë se nuk negociojnë dhe se askush nuk ka për qëllim të negociojë për veçantinë e identitetit maqedonas, gjuhës, kulturës, traditës. Ky është dokument i cili nuk është e drejtë ekskluzive e VMRO-DPMNE, por është krijuar nga institucionet më të larta intelektuale të vendit”, shtoi Mickoski.

Nga LSDM vetëm shkurt dërguan kumtesë ku thuhet se nuk ka nevojë për asnjëfarë rezolucioni, ndërsa aktin e Mickoskit e vlerësuan si populist.

 “Gjuha dhe identiteti maqedonas janë të vërtetuar dhe të pranuar nga mbarë Evropa dhe nga mbarë bota. Andaj nuk janë të nevojshme asnjëfarë rezolutash, konkluzash. Dukshëm vetëm Hristijan Mickoski nuk e ka të qartë cilat janë linjat për identitetin maqedonas andaj del me kërkesa populiste”, thonë nga LSDM.

Paraprakisht edhe në Komisionin për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski i cili udhëheq me këtë organ kuvendor, kërkoi që të miratohen përfundime për negociatat mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, por deputetët e shumicë parlamentare u larguan nga seanca.