VMRO-DPMNE akuzon Shilegovin për keqpërdorime, kryetari i Shkupit me përgjigje: Opozita shpik skandale

TË FUNDIT

Miliona euro, para tona, përmes disa procedurave tepër të dyshimta, kanë shpenzuar ministritë, ndërmarrjet publike dhe komunat në katër vitet e fundit – akuzojnë nga VMRO-DPMNE. Thonë se institucionet e pushtetit të LSDM kanë nënshkruar marrëveshje milionëshe për të cilat nuk e kanë respektuar ligjin dhe nuk e kanë publikuar marrëveshjen dhe shumën në faqen e Byrosë për prokurime publike. Theksojnë se edhe pse një gjë e tillë është e obligueshme me ligj, ata i fshehin marrëveshjet.

“Sipas informacioneve deri te të cilat arritëm, Peter Shilegov në periudhën e kaluar ka nënshkruar disa marrëveshje në shumë të përgjithshme prej 800 mijë eurove, pa i publikuar të njëjtat në faqen e Byrosë për prokurime publike. Çfarë fsheh Shilegov dhe pse nuk i publikoi këto marrëveshje? Sipas njohurive tona Ministria për transport dhe lidhje në 2 vitet e fundit ka bërë katër marrëveshje në vlerë të përgjithshme prej 297 milion denarëve, përkatësisht rreth 5 milion euro, për të cilat nuk është respektuar ligji dhe nuk i ka publikuar në opinion. Çfarë kanë fshehur ministrat për transport dhe lidhje të emërtuar nga Zaevi?”, pyet Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Në lidhje me akuzat, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, u përgjigj se VMRO-DPMNE në mungesë të ofertës për qytetarët, po mundohet të shpikë skandale.

“DPMNE për 3 vjet e gjysmë nuk arriti të krijojë skandale në institucionin Qyteti i Shkupit, e as të ndërlidhë ndonjë skandal me mua si kryetar. Unë jam i vetëdijshëm, por edhe shkupjanët janë të vetëdijshëm se tani më kemi hyrë në periudhën parazgjedhore të zgjedhjeve lokale. Dukshëm duke mos pasur ofertë dhe mënyrë si tu përgjigjet politikave të reja dhe aktiviteteve të qytetit, do të mundohen të krijojnë skandale siç ishin shkallët e zjarrfikësve ose akuzat e sotme se nuk kemi publikuar tenderin për pastrimin e deponisë në Vizbeg”, deklaroi Shilegovi.

Ai theksoi se këto sulme janë të pritshme para zgjedhjeve në mungesë të ofertës për qytetarët, për shkak se, siç tha, do të mundohen të krijojnë një imazh se ai është kriminel ose se në Qytet nuk punohet në mënyrë ligjore. VMRO-DPMNE i bëri thirrje KSHPK dhe Prokurorisë Publike menjëherë të hapin rast dhe të vërtetohet pse nuk është respektuar ligji dhe a bëhet fjalë për kurdisje tenderësh.