Partia opozitare VMRO-DPMNE e akuzoi ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe se është publikuar tender skandaloz për blerje të tetë mamografëve në vlerë prej 85 milionë denarëve. Siç pohojnë ata, në të kaluarën janë blerë 6 mamografe për 35 milionë denarë, andaj pyesin se pse tani shuma e blerjes është kaq e lartë dhe në xhepin e kujt kanë përfunduar paratë tjera. Ata e akuzojnë ministrin Venko Filipçe dhe LSDM-në për tenderë të kriminalizuar, duke marrë parasysh se paraprakisht, siç pohojnë, ka pasur tender skandaloz për diçka që është esenciale për mjekësinë – sterilizimin.
“Ministri Filipçe duhet t’iu përgjigjet shumë pyetjeve. Pse mamografe që janë dyfish më të shtrenjta? A e di paraprakisht, siç dinte për reagensët, cilës kompani do t’ia japë edhe këtë tender? A janë përgatitur dokumentet për tender sipas modelit të firmës së tij? A është kurdisur paraprakisht tenderi i cili do të shpallet?”, pyeti Maria Andonova nga VMRO-DPMNE.
Ministria e Shëndetësie reagoi në lidhje me pres-konferencën e VMRO-DPMNE-së në të cilën, siç thanë nga LSDM-ja, janë thënë shumë të pavërteta.
MSH e rikujton opozitën për vendimin e Prokurorisë publike për krim të organizuar dhe korrupsion, në të cilin thuhet se nuk ka vend për intervenim nga ana e Prokurorisë në lëndën që ka të bëjë me furnizimet publike të MSH-së.
“Sipas nenit 76 nga Ligji për furnizime publike, pala kontraktuese, mundet që pas miratimit të vendimit për furnizim publik, ndërsa para publikimit të shpalljes për furnizim, të realizojë dialog teknik me operatorët ekonomikë. Me atë që Ministria e Shëndetësisë ka publikuar dialogje teknike, ka mundësuar që secili operator ekonomik të japë mendime dhe komentime, mund të shihet transparenca e vetë procedurës, edhe pse ligji për furnizime publike jep mundësi që të mos zbatohet dialogu teknik”, thuhet në reagimin e MSH.
Nga kjo ministri thonë se në këtë fazë të procedurës, 4 operatorë ekonomikë kanë dorëzuar komentime dhe propozime në lidhje me dokumentacion e tenderit dhe të njëjtat po shqyrtohen nga ekspertët. Për shkak se procedura ende nuk ka filluar, ofruesit nuk kanë mundësi të dorëzojnë oferta, andaj parashtrohet pyetja se si mund që Ministria e Shëndetësisë të favorizojë ndonjë operator ekonomik kur procedura ende nuk është publikuar, thanë nga MSH-ja.
Përgatiti: Tv21
