Vlora Hyseni zyrtarisht kryeson me “shërbimin sekret” të Shqipërisë

TË FUNDIT

Vlora Hyseni është prezantuar sot zyrtarisht në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit në Shqipëri, një ditë pasi u dekretuar nga presidenti Bajram Begaj.

Në prezantimin e saj kanë qenë të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga Presidenti i Republikës”, shkruan Rama në facebook.

Dekretimi i Vlora Hysenit si drejtuese te Shërbimit Informativ te Shtetit u bë një ditë më parë nga presidenti Bajram Begaj.

Më 17 mars kryeministri Edi Rama shkoi në zyrën e presidentit Begaj për të propozuar zonjën Hyseni në krye të këtij dikasteri me besimin se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që ajo gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Në 2021 u emërua si këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Hyseni do të zëvendësojë në këtë detyrë Helidon Bendon, i cili dha dorëheqjen dhjetorin e vitit 2022.