Vllado Buçkovski do të udhëtojë në Sofje në takimin e parë si përfaqësues i posaçëm i Qeverisë. Javën e ardhshme ai do të takohet dhe do të bisedojë me zyrtarët e Bullgarisë. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, thotë se bisedimet do të zhvillohen sipas kornizës që është përcaktuar me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Tani për tani nuk dihet me kë do të takohet dhe në cilin nivel, sepse kjo ende dakordohet në Sofje.
“Shpresoj që Buçkoski të pranohet në Republikën e Bullgarisë në nivelin më të lartë të mundshëm, që të mund të bisedojmë hapur për mundësitë për tejkalimin e dallimeve qysh tani, që të ecim përpara drejt mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare. Ende po e përgatisim agjendën, sepse siç thashë – z.Buçkovski do të punojë nën instruksione dhe në suaza të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Qeverisë”, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski thotë se vetoja eventuale e Bullgarisë nuk do ta rrezikonte gjendjen e sigurisë. Ne si Qeveri bëjmë përpjekje që në bazë të parimeve të arrijmë kompromis mbi çështjet e hapura, patjetër se çdokush ka të drejtë dhe mundësi se si do të veprojë në atë pjesë, tha Spasovski.
“Mund të bisedojmë për të gjitha çështjet e tjera që janë me interes, megjithatë jo edhe për ato çështjet siç janë identiteti dhe gjuha jonë. Historinë do t’ua lëmë historianëve, ata le të bisedojnë për atë që ka ndodhur në të kaluarën. Por nuk guxojmë të mbetemi të robëruar në të kaluarën por duhet të shikojmë drejtë së ardhmes. Për ne si Qeveri, për mua personalisht si politikan është shumë e rëndësishme se çfarë perspektivë do t’u lëmë fëmijëve tanë, gjeneratave të reja. Drejt asaj duhet të fokusohemi”, deklaroi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.
Përndryshe, informacionet të cilat këto ditë qarkulluan në disa media, se vetos së Bullgarisë iu bashkëngjitën Danimarka dhe Holanda, i demantuan të dy vendet. Nga Ambasada e Holandës në vend theksuan se njoftimet e këtilla janë të pabaza dhe se bëhet fjalë për lajme të rrejshme duke shtuar se Holanda mbetet në qëndrim se Maqedonia duhet t’i fillojë negociatat. Nga MPJ-ja e Danimarkës thanë se edhe ata i përkrahin propozimet aktuale e Komisionit Evropian në lidhje me kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri dhe se atë e kanë bërë me dije qartë.
