Eurokomisari për zgjerim Johanes Han shprehu bindje se Komisioni Evropian kah fundi i majit do të rekomandojë hapje të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai në një intervistë për “Handellsbllat” thotë se rekomandimi do të sillet mbi bazë të kritereve që janë dakorduar bashkërisht nga ana e vendeve të BE-së, i cili më pas do t’u dorëzohet vendeve anëtare. Ai theksoi se Shkupi dhe Tirana e kanë merituar fillimin e negociatave, që ishte shtyrë në qershor të vitit të kaluar.
“Marrëveshja historike për mbylljen e kontestit për emrin me Greqinë dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, janë sinjale inkurajuese për tërë rajonin se kontestet shumëvjeçare mund të zgjidhen. Maqedonia e Veriut gjithashtu ka arritur përparim të mirë kur bëhet fjalë për reformat e brendshme. Vendi meriton dritë jeshile për nisjen e negociatave aderuese, sa më shpejtë që është e mundur – para pauzës verore”, theksoi Eurokomisari për Zgjerim Johanes Han.
Nga ana tjetër, në shtypin botëror nuk ka tone optimiste për startin e bisedimeve aderuese të vendit në qershor. “Franca dhe Gjermania derdhën ujë të ftohtë mbi shpresën e Ballkanit për hyrje të shpejtë në BE-në”, ishte titulli i gazetës “Fajnenshëll tajms”, e cila shkruan se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë porosi zhgënjyese nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Makron.
“Shanset janë të vogla për anëtarësim të shpejtë në bllokun. Së pari duhet t’i rregullojnë detyrat në shtëpi”, vazhdon gazeta.
Makron para se gjithash e ka theksuar nevojën për stabilitet politik në rajon. Ai ka paralajmëruar se Parisi do të ndihmojë jo përmes procesit të zgjerimit, por përmes ndihmës në fushat kryesore ekonomike, sociale dhe ato të sigurisë, si dhe përmes reformave në sundimin e së drejtës.
Gazeta gjermane “Zidojçe Cajtung”, shkruan se për Bashkimin Evropian ende është e kontestueshme se për një kohë kaq të shkurtër Qeveria në Shkup duhet të shpërblehet me nisjen e negociatave. Gazeta në tekstin e titulluar “Impulsi i ri për politikën e Ballkanit” i cek edhe lëvdatat që i ka marrë Maqedonia e Veriut, por edhe mungesën e unifikimit të Bashkimit Evropian lidhur me atë se sa shpejtë duhet të shpërblehet vendi.
Me qëllim që, rajonit të ngarkuar me probleme, t’i tregojnë edhe për zhvillimet pozitive, Merkel dhe Makron i dhanë lëvdata Maqedonisë së Veriut, duke e cekur si shembull për zgjidhjen e suksesshme të konflikteve.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
