VLEN: “One Stop Shop” me Shqipërinë forcon lidhjet ekonomike, turistike dhe familjare

TË FUNDIT

“Vendimi për funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në kufirin me Republikën e Shqipërisë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit kufitar dhe afrimit praktik të qytetarëve të dy vendeve”, tha VLEN duke shtuar se ky model sjell ndryshim real në përditshmërinë e qytetarëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ngarkesave sezonale.

VLEN tha se ky është edhe sinjal se po thellohen marrëdhëniet mes dy vendeve.

“VLEN e vlerëson këtë zhvillim si pjesë të një qasjeje të re që e sheh kufirin jo si pengesë, por si pikë lidhjeje, ku procedurat administrative zëvendësohen me koordinim institucional dhe ritëm më të shpejtë lëvizjeje.

Ky model sjell ndryshim real në përditshmërinë e qytetarëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ngarkesave sezonale, sidomos gjatë muajve të verës kur qarkullimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë rritet ndjeshëm.

Përveç aspektit teknik, ky është një sinjal i qartë politik për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike, turistike dhe familjare mes dy vendeve.

Lëvizja më e shpejtë e njerëzve nënkupton edhe më shumë shkëmbime, më shumë tregti dhe më shumë mundësi zhvillimi për bizneset lokale në të dy anët e kufirit. Në këtë kontekst, “One Stop Shop” shihet si pjesë e një qasjeje më të gjerë rajonale, e cila tashmë është duke u zbatuar edhe në kufijtë me Kosovën dhe Serbinë, duke krijuar një standard të unifikuar për lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e efikasitetit kufitar.

Një hap i tillë pritet të shërbejë si shembull për avancimin e mëtejshëm të integrimit praktik rajonal, në frymën e standardeve evropiane të qarkullimit të lirë”, tha VLEN.