“VLEN nuk ka qenë as iniciator, as propozues” – ASH: “One Stop Shop” me Shqipërinë u inaugurua në vitin 2023

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët tha se “One Stop Shop” me Shqipërinë nuk ishte as premtim i VLEN e as arritje e tyre, pasi siç thanë, përgatitjet për këtë sistem kanë filluar në vitin 2019, marrëveshja qeveritare është nënshkruar më 14 nëntor 2022 ndërsa inaugurimi zyrtar është bërë në korrik të vitit 2023. ASH tha se ” VLEN nuk ka qenë as iniciator, as propozues, as bartës i këtij procesi” dhe shtoi se “kjo nuk është arritje. Është përvetësim politik i punës së dikujt tjetër”

“Atëherë, për cilin premtim të realizuar flet deputeti Qoku?

Në politikë nuk është e ndershme të marrësh meritën për punën e të tjerëve. Nëse VLEN ka kapacitet, le të tregojë çfarë ka realizuar vetë gjatë këtyre dy viteve në qeveri. Le të tregojë një projekt konkret për shqiptarët. Le të arsyetojë mandatin me punë, jo me statuse në Facebook.

Në vend që të përvetësoni projekte të nisura dhe të realizuara para jush, zbatoni ligjin. Mundësojuni studentëve shqiptarë që edhe pjesën praktike të provimit të jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe. Aty matet guximi politik. Aty shihet përfaqësimi i vërtetë.

Është e papranueshme që një deputet, në mungesë të projekteve dhe rezultateve, të dalë para qytetarëve dhe të shesë si arritje të subjektit të tij një punë që as nuk e ka propozuar, as nuk e ka udhëhequr, as nuk e ka realizuar.

Qytetarët, sidomos shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, nuk kanë nevojë për përfaqësues që vrapojnë pas meritave të huaja. Ata kanë nevojë për njerëz që punojnë, që mbajnë fjalën dhe që guxojnë të zgjidhin çështjet që i prekin drejtpërdrejt.

Kjo nuk është arritje. Është përvetësim politik i punës së dikujt tjetër.

Propaganda e thatë nuk e mbulon mungesën e rezultateve. Tregoni çfarë keni bërë ju. Cilat premtime i keni realizuar. Cilin projekt e keni nisur, udhëhequr dhe përfunduar vetë për shqiptarët”, tha ASH.