VLEN kërkon hetim për ish-drejtorin e “Rrugëve Shtetërore”! Rustemi i hedh poshtë akuzat dhe i cilëson si shpifje

TË FUNDIT

VLEN kërkon nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të hapë lëndë e të verifikojë informacionet e publikuara në opinion lidhur me punën e ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi. Nga VLEN thanë se, ai dyshohet se ka ushtruar presion ndaj një kompanie të madhe evropiane për prodhimin e gardheve mbrojtëse të autostradës që të mos marrë pjesë në tenderë në Maqedoninë e Veriut, e kështu, sipas Muhamed Elmazit nga VLEN, i është hapur rrugë një kompanie nga Serbia.

“Këtu nuk flasim për tender të zakonshëm, këtu flasim për eliminim konkurrence, për favorizim firme, për shuma milionëshe dhe lojëra me paratë e qytetarëve. Edhe më e rëndë është çështja se bëhet fjalë për gardhe mbrojtëse, këto nuk janë zbukurime që vendosen në rrugë, këto janë pajisje që lidhen direkt me sigurinë rrugore dhe jetën e njerëzve. Nëse siguria qytetare është vënë në pazare që një tender ti takoj një kompanie serbe, atëherë a duhet të presim tragjedi të reja si ajo e vendbanimit Llaskarcës që institucionet më në fund të zgjohen”, tha Muhamed Elmazi, VLEN.

Lidhur me këto akuza të VLEN, reagoi vetë Ejup Rrustemi, duke i quajtur shpifje pretendimet e disa portaleve. Shprehu keqardhje që për interesa të ngushta politike, sipas tij, po hidhen në opinion akuza të rënda pa asnjë bazë faktike, duke tentuar të njolloset emri dhe integriteti përmes dezinformatave. Sipas Rustemit, edhe më shqetësues është fakti që çështje që lidhen me sigurinë e qytetarëve po përdoren për sulme politike dhe për diskreditim personal.

“Pretendimet e paraqitura janë tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo dokument zyrtar. E vërteta është se gjatë periudhës sa kam ushtruar funksionin e drejtorit të NPRRSH nuk është zhvilluar asnjë procedurë tenderuese për furnizim me gardhe mbrojtëse nga kjo ndërmarrje. Nuk ka ekzistuar asnjë tender në kuadër të NP ku mund të jetë favorizuar, përjashtuar apo diskriminuar ndonjë kompani. Kurrë nuk ka pasur procedurë tenderuese nën kompetencën e institucionit që kam drejtuar, nuk mund të ketë as ndikim, as presion dhe as përgjegjësi nga ana ime”, tha Ejup Rrustemi, ish-drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Përderisa nga VLEN ngritin dilema për mosveprimin e deritanishëm të Prokurorisë, duke kërkuar nga prokurori Islam Abazi që të ndërmarrë hapa konkretë për zbardhjen e rastit, eksponenti i BDI-së opozitare i bëri thirrje përfaqësuesve të VLEN-it, që nëse posedojnë qoftë edhe një provë të vetme që mbështet pretendimet e tyre, ta paraqesin para institucioneve kompetente dhe para opinionit publik. Në të kundërtën, Rustemi tha se pret që të tregojnë përgjegjësi politike dhe morale, të tërhiqen nga këto pretendime dhe t’u kërkojnë falje publike qytetarëve dhe atij personalisht për përhapjen e informacioneve të pasakta.