Takohen shpesh dhe takimet i quajnë miqësore. Pasi takohen shkruajnë se kanë biseduar për çështjet aktuale, marrëdhëniet mes dy shteteve e integrimin europian!
Por krahas këtyre, liderët e VLEN-it dukshëm janë të brengosur se ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, po përzihet në çështje politike të brendshme të Maqedonisë. Këtë po e thonë edhe haptazi.
Kur në të njëjtën ditë Meidani takoi Ali Ahmetin, Azir Aliun dhe Bilall Kasamin, ky i fundit tregoi se brenda VLEN-it ka pasur kritika duke u parë si një përpjekje për përafrimin e tyre.
“Unë nuk mund të refuzojë takim me ambasadorin e një shteti, në këtë rast më së paku të Shqipërisë, pa marrë parasysh rolin që në momente të caktuara ai po mundohet ta marrë në skenën politike, të cilën ia kam thënë edhe në takim edhe në shumë raste, që ai duhet të përfaqësojë shtetin shqiptar dhe të mbrojë të drejtat e shqiptarëve konform Kushtetutës dhe të mos futet në këto debate politike-partiake këtu te ne”, tha Bilall Kasami.
Këto, sipas Kasamit, po lexohen se ambasadori në disa momente po rrëshqet në një ide partiake apo politike, që nuk do duhet të jetë kështu. E në të njëjtën linjë është edhe Izet Mexhiti.
-“E duam Shqipërinë edhe kur qeveria e Shqipërisë është në nivelin e politikës ditore dhe mban anë, mban anën e tjetrit, ne prapë e duam Shqipërinë”, deklaroi Izet Mexhiti.
Ndaj kësaj u kundërpërgjigj Meidani përmes Facebookut:
–“Ne nuk bëjmë politikë ditore, por shtetërore. Biem dakord vetëm kur jemi në të njëjtën linjë për garantimin e të drejtave, respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për të ecur krah për krah drejt Evropës.
Ambasada e Shqipërisë sqaroi edhe deklaratën e Kasamit i cili tha se në takim Mediani ia ka përcjellë kërkesën e Ahmetit për takim. Në sqarim thuhet se kjo është bërë me kërkesë në Presidentit shqiptar në prag të vizitës së tij, me qëllim që të organizohet një takim në Kuvend me kryetarët e partive parlamentare shqiptare“, shkroi Meidani.
-“Bëhet fjalë për një veprim krejtësisht institucional, në përputhje me protokollin diplomatik dhe praktikën e zakonshme të organizimit të takimeve në nivel të lartë. Çdo interpretim tjetër që i atribuon këtij procesi motive apo qëllime të ndryshme nga ato zyrtare është i pabazë. Ambasada mbetet e përkushtuar ndaj korrektësisë institucionale, transparencës dhe respektit për të gjitha palët”, shkroi Meidani.
Qëndrimet e VLEN-it ndaj ambasadorit, i komentuan edhe integristët. Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani shkroi se sulmi i i koordinuar ndaj Meidanit nga ana e shqiptarëve të preferuar të Mickoskit në Qeveri erdhi në momentin që ambasadori shqiptar filloi të flasë hapur për politikat antishqiptare të kësaj qeverie.
“Të njëjtët njerëz që nuk panë asnjë problem kur pranuan Stoilkoviqin si zëvendëskryeministër, një figurë që është zgjatim i Beogradit dhe Banja Llukës, sot e kanë problem një ambasador shqiptar që nuk hesht”, tha Bujar Osmani.
Edhe në raste të mëparshme ambasadori i Shqipërisë është kritikuar nga eksponentë, ose të afërt me koalicionin VLEN, për mbajtje qëndrimesh në favor të opozitares BDI.
