VLEN: Gjuha shqipe do të jetë e mbrojtur! VMRO-DPMNE: BDI të mos qëndrojnë në të ftohtë por të reformohen

TË FUNDIT

Partitë në pushtet i akuzuan aktivitetet e BDI-së. Në të njëjtën tryezë u ulën liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, Zekirija Ibrahimi, Bilall Kasami dhe Arben Taravari, sipas të cilëve opozita shpërndan retorikë të ndarjeve. Nga VLEN theksuan se BDI manipulon me opinion dhe prezantohet të mënyrë të rrejshme si mbrojtës të gjuhës shqipe. Nga VLEN i thirrën shqiptarët të jenë të qetë sepse gjuha shqipe është e mbrojtur ndërsa për BDI vlerësuan se e kopjon skenarin e Nikolla Gruevski me tendat para KSHZ-së.


“Kjo parti së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti, e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias, i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish-funksionarët e tyre të korruptuar”, deklaroi Saranda Imeri nga koalicioni VLEN.


Akuza në adresën e BDI-së dërgoi edhe VMRO-DPMNE. Nga partia theksuan se BDI organizon cirk politik duke shitur patriotizëm. VMRO-DPMNE e thirri opozitën që, siç thonë, të mos qëndrojnë në të ftohtë.



“BDI u demaskua, të gjithë shohin se veprimi i tyre politik në disa muajt e fundit është vetëm në drejtim të mbrojtjes së kriminelëve politikë që e plaçkitën shtetin. Në vend të qëndrojnë në të ftohtë më mirë le të riformohen si parti, sepse afrohen zgjedhjet lokale, të mos pësojnë një befasim edhe më të madh”, theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.


Nga VMRO-DPMNE thanë se qeveria nuk do të lejojë çfarëdolloj cenimi të paqes. Sipas partisë, institucionet janë në krye të detyrës dhe bashkë me partnerët ndërkombëtarë shkëmbejnë informacione dhe nëse ka nevojë, do të veprojnë.