Koalicioni VLEN akuzoi se BDI po përgatit krizë politike, përmes bojkotit të zgjedhjeve lokale. Nga koalicioni qeveritar kumtuan se BDI në ditën e votimeve do të provokojë tensione, ndërsa si arsye do të përdoret vendimi eventual i Kushtetueses. Gjykata nga fundi i këtij muaji do ta fillojë seancën përgatitore ku më shumë ekspertë do të prononcohen për nismat me të cilat kontestohet Ligji për gjuhët, përkatësisht përdorimi i shqipes.
“Ali Ahmeti dje nga Likova vetë e konfirmoi: BDI po përgatit bojkotin e zgjedhjeve lokale! Po ashtu, e pranoi atë që ne e kemi thënë prej kohësh. Iniciativa për Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe para Gjykatës Kushtetuese është kurth i fshehur i BDI-së, me të cilin dëshirojnë të përfitojnë politikisht duke dashur t’i shkaktojnë dëm VLEN-it”, thanë nga koalicioni VLEN.
Reagimi i VLEN vijon pas deklaratës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti i cili i thirri shqiptarët që të mobilizohen për çështjen e Ligjit të gjuhës. Ai theksoi se nën pikëpyetje do të vendoset edhe mbajtja e zgjedhjeve lokale.
“Në qoftë se preket ligji i gjuhës, nuk ka zgjedhje lokale dhe nuk mundet të vendosen kuti për të mbajtur zgjedhje lokale, nëse preket ligji i gjuhës, dhe ligji i gjuhës nuk është i BDI-së, ligji i gjuhës është edhe i atyre që do lindin deri sa të lindë dielli. Prandaj duhet t’i dalë çdo shqiptarë zot ligjit të gjuhës dhe as mos ta politizojnë dhe as mos ta problematizojnë”, deklaroi Ali Ahmeti më 28 shkurt 2025.
Ahmeti paraprakisht kërkoi që VLEN të largohet nga Qeveria dhe së bashku me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Funksionarët nga VLEN këtë kërkesë të Ahmetit e vlerësuan si të palogjikshme dhe të papranueshme. Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në gjysmën e parë të muajit tetor.
