VLEN: BDI nuk e mbron kauzën shqiptare, por e mban peng! BDI: VLEN u bë instrument i politikave që dëmtojnë shqiptarët

TË FUNDIT

Përplasja politike mes VLEN-it në pushtet dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë është thelluar me akuza të ndërsjella për çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. VLEN ka akuzuar BDI-në se për vite me radhë ka përdorur çështjen shqiptare për interesa partiake, duke pretenduar se kjo parti synon të mbajë peng proceset vetëm për shkak të humbjes së pushtetit.

“Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim (BDI) nuk e mbron kauzën shqiptare, por e mban peng. Hesapi i tyre është i thjeshtë. Ose ata në kolltuqe, ose nuk ecën asgjë. Kur janë në pushtet, gjithçka është në terezi. Kur mbeten jashtë, përnjëherë prishet dynjaja”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga kjo parti thonë se shqiptarët nuk kanë obligim t’ua sigurojnë pushtetin figurave politike që kanë qenë për vite me radhë në qeverisje.

“Shqiptarët nuk ua kanë borxh pushtetin e përjetshëm karrigexhinjve të Reçicës së Vogël. Nuk u kanë borxh as ministra, as drejtorë dhe as tenderë. Aq më pak ua kanë dhënë të drejtën që, vetëm pse mbetën pa kolltuqe, ta bllokojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe ta rrënojnë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit”, deklaruan nga VLEN.

Sipas VLEN-it, BDI ka pasur mundësinë për 25 vite që të rregullojë me ligj çështjen e përfaqësimit të drejtë, por nuk e ka bërë këtë.

“Plot 25 vjet e kishin edhe gurin, edhe arrën në dorë, por nuk u shkoi mendja që këtë të drejtë ta mbronin me ligj. Më të rëndësishme i kishin tenderët, pasurimin personal dhe pazaret e pista. Tani, kur dikush tjetër po e kryen punën, nga dëshpërimi kapen pas një fijeje kashte dhe kërcënojnë se do ta bllokojnë gjithë Kuvendin”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Nga ana tjetër, BDI ka reaguar duke akuzuar VLEN-in se ka mashtruar elektoratin shqiptar dhe se, pavarësisht premtimeve para zgjedhjeve, ka pranuar të bëhet pjesë e qeverisë si partner i VMRO-DPMNE-së.

“VLEN-i gjatë zgjedhjeve premtoi se edhe po t’i mungonte vetëm një votë për fitore, nuk do të bëhej pjesë e qeverisë. Madje premtoi se do të tërhiqej nga politika. Sot dihet se ndodhi pikërisht e kundërta. Si humbës zgjedhor, VLEN-i hyri në qeveri dhe pothuajse në çdo premtim që u dha qytetarëve shqiptarë, veproi në drejtimin e kundërt”, deklaroi BDI.

Sipas opozitarëve, qeverisja aktuale ka sjellë rritje të ndikimit të asaj që ata e quajnë “botë serbe” në vend.

“Për dy vite me radhë, Raporti i Parlamentit Evropian evidenton shqetësimin për rritjen e ndikimit të ‘botës serbe’ në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe apostrofon qartë promovimin e këtyre politikave nga përfaqësues të pushtetit. Këto nuk janë më vlerësime të opozitës, por konstatime të institucioneve më të rëndësishme evropiane”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI ka akuzuar gjithashtu VLEN-in se është pjesë e politikave që, sipas tyre, cenojnë të drejtat kolektive të shqiptarëve.

“Nuk është aspak rastësi që paralelisht me këtë ndikim po vazhdon edhe gërryerja sistematike e Marrëveshjes së Ohrit, përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe politikave të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik. Në këtë proces, VLEN-i nuk është spektator. Ai është kamuflues, relativizues dhe bashkërealizues i politikave që cenojnë të drejtat kolektive të shqiptarëve”, thekson BDI.