Vjosa Osmani: Kosova të ketë më shumë bashkërendim dhe bashkëpunim me SHBA

TË FUNDIT

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vendit të saj me Shtetet e Bashkuara jo vetëm për çështje që lidhen me dialogun me Serbinë.

Ajo tha se historia e ka treguar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Uashingtonin ka patur sukses, çka i ka shërbyer vendit dhe banorëve të tij.

Ndërsa i konsideroi tërësish të ligjshme veprimet e qeverisë së Kosovës për shtrirje të sovranitetit në veri, Presidentja Osmani shtoi se bashkëpunimi me aleatët do t’i bënte këto përpjekje të qëndrueshme, duke u reflektuar edhe në politikën e jashtme, nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtarë.

“Në radhë të parë duhet ta potencoj se marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë më të thella, shumë më të gjera sesa thjesht çështja e dialogut Kosovë-Serbi. Natyrisht që dialogu Kosovë-Serbi është një prej temave që ne vazhdimisht e diskutojmë me aleatët tanë në SHBA, mirëpo kjo nuk është e tëra, dhe të reduktohet i gjithë raporti ynë vetëm në këtë temë, mendoj që nuk i bën mirë farë Kosovës. Prandaj edhe gjatë kësaj jave si Presidente e Republikës së Kosovës dhe udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vazhdimisht kam potencuar këtë fakt në të gjitha takimet me zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë dy biseda të shkurta që kisha me Presidentin (Joe) Biden gjatë ditës së djeshme, i cili siç e dini, ia ka kushtuar më shumë se 30 vite të karrierës së tij në mbështetje të Kosovës nga fillimi i viteve të 90-ta, kur ne me të vërtetë si Kosovë na duheshin zëra pro shtetit tonë dhe aspiratave tona për liri dhe pavarësi. Në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka shumë sfida mirëpo, asnjëherë nuk ka munguar përkushtimi i plotë i Kosovës për të adresuar çështje që janë në interes të qytetarëve tanë dhe të paqes e stabilitetit rajonal. Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të dhe tani e tëra që Kosova kërkon është që të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të copëzave të saj, sepse marrëveshja e ndarë në copëza nuk ka asnjë kuptim, dhe nuk ka asnjë kuptim që ajo të zbatohet në mënyrë unilaterale nga Kosova, ndërsa pala tjetër që është Serbia në këtë rast, të ikë plotësisht nga obligimet e saj, siç edhe e ka bërë në këto 12-13 vite dialog. Pra, Kosova është e përkushtuar dhe natyrisht si presidente insistoj që çdo ditë të ketë më shumë koordinim dhe bashkëpunim me SHBA-të sepse historia ka dëshmuar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara edhe sa i përket qëndrimeve tona në dialog, por në përgjithësi në sukseset tona në fuqizimin subjektivitetit tonë ndërkombëtar, çdo herë kemi pasur sukses, pra sa më shumë afërsi, sa më shumë bashkëpunim me SHBA-të, aq më mirë për Kosovën, aq më shumë suksese për popullin tonë”, deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.