Vizbegu, lagja e shtëpive të pa legalizuara! Komuna: 95% e aplikimeve nuk i plotësojnë kushtet

TË FUNDIT

Banorët e Vizbegut kanë probleme me legalizimin e shtëpive. Ndonëse me mijëra shtëpi të ndërtuara, vetëm një pjesë e vogël ka arritur t’i legalizojnë. Kanë investuar me qindra mijëra euro për të siguruar një kulm mbi kokë, por akoma nuk arrijnë t’i marrinë tapitë e tokës dhe të shtëpive. Ata thonë se kjo çështje ju ka shkaktuar edhe probleme të tjera si mosplotësimi i kushtit për të ndryshim të adresës së banimit, mospasja e mundësisë për regjistrim të orëmatësve të rrymës, pasi që u kërkohet fletëpronësia e objektit, që merret pas legalizimit.

– “Jam prej Tanushe qe 11 vjet këtu, shtëpitë i kemi ndërtuar por kemi probleme për legalizim. I kemi bo disa dokumente dhe sipas letërnjoftimit e kemi rregullu adresën në Vizbeg, Komuna Butelit, por nuk e di se çfarë duhet tjetër send. I dorëzova dokumentet për legalizim, pora ta mi kanë refuzuar”.

-Letërnjoftimin e kam Brezë, por këtu Shutë Orizare rruga “Indira Gnadi”.
-A ju kanë ndërruar adresën këtu?
-Dikujt po, por kërkojnë shumë dokumente, disa fatura të rrymës.
-Tjera dokumente të shtëpisë a ju kanë kërkuar?
-Disa dokumente të tokës po, që i kemi bërë marrëveshjet atëherë.

Njëra nga banoret e Vizbegut, e cila është edhe këshilltare komunale në Qytetin e Shkupit, thotë se qytetarët e kësaj zone hasin në labirinte burokratike komunale sa i përket marrjes së dokumenteve. Halide Palloshi tha se ky vendbanim në 25 vitet e fundit është populluar shumë, por komuna nuk ka bërë një plan të detajuar urbanistik për t’i paraprirë problemit të pronave të ndërtuara pa dokumente. Ajo thotë se të lënë në mëshirë të fatit, edhe pse i paguajnë të gjitha taksat, vetë kanë investuar në disa projekte infrastrukturore për t’i funksionaliozuar rrugët dhe rrugicat e Vizbegut.

“Të gjithë ata, të cilët nuk i kanë legalizuar shtëpitë prej fillimit, edhe tash kanë ato probleme. Legalizimi nuk bëhet aq i lehtë! Këtë çështje e kemi ngritur se duhet të ju ndihmohet këtyre banorëve të hapet një zyrë dhe të angazhohet një jurist që të mundet banorët t’i legalizojnë tokat dhe të bëhen banorë të Vizbegut”, tha Halide Palloshi

Nga Komuna e Butelit, thonë që 95% e aplikimeve për legalizim as nuk i plotësojnë kushtet. Për këtë arsye, kryetari i komunës Darko Kostovski tha se shumica kërkesave as nuk janë marrë në shqyrtim sepse nuk kanë bazë ligjore dhe se janë ndërtuar pasi që ligji për legalizimin e objekteve ilegale ishte shfuqizuar nga ish-presidenti Stevo Pendarovski. Kostovski tha se këto objekt nuk do të rrënohen por do pritet një kornizë e re ligjore për t’i legalizuar.

“Bëhet fjalë për një proces të caktuar, për të cilin shumica e atyre kërkesave, e thënë kushtimisht, as që janë proceduar si kërkesa, por janë përgjithësisht kërkesa të qytetarëve. Nuk ka mundësi ligjore të ketë legalizime të caktuara”, tha Darko Kostovski.

Në Sektorin e urbanizmit të Komunës së Butelit, aktualisht janë 426 lëndë aktive vetëm nga vendbanimi i Vizbegut, prej të cilave sipas autoriteteve komunale, jo më shumë se 3-5% përmbushin plotësisht kushtet e legalizimit për arsye të parregullsisë së çështjeve pronësore-juridike. Nga Komuna e Butelit thonë se në dekadën e fundit, ku janë ezauruar dy mandate e gjysmë të kryetarëve të komunave, janë realizuar gjithsej 274 legalizime të tjera në Vizbeg. Përndryshe, Komuna e Butelit është themeluar para 20 vitesh.