“Vishe ndryshimin” përmes diskutimit për dhunën me bazë gjinore bashkoi ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë në Veles

TË FUNDIT

Si pjesë e serisë së ngjarjeve “Vishe Ndryshimin” (Wear the Change), e nisur në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, karavani i iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, Team Europe (ambasadat e vendeve anëtare të BE-së) dhe rrjeti i Europe House, e solli debatin më 21 prill (e martë) në Europe House Veles. Ngjarja u zhvillua përmes panel-diskutimit me temë “Mburoja e thyer: Dhuna me bazë gjinore dhe mbrojtja institucionale”.

Debati bashkoi partnerë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë lokalë, të cilët trajtuan një sfidë kyçe shoqërore: hendekun mes ligjeve në letër dhe (mos)zbatimit të tyre në praktikë. Rastet e fundit të femicidit konfirmuan realitetin e ashpër të dështimeve serioze sistemore – institucionet nuk marrin përgjegjësi dhe nuk arrijnë t’i mbrojnë viktimat, edhe pas raportimeve të përsëritura ndaj dhunuesve.

Në panelin e moderuar nga Andrea Ugrinoska (Tiiiit! Inc. – Shkup), morën pjesë Ana Avramovska Nushkova nga rrjeti kombëtar “Zë kundër dhunës”, Angelina Dimovska Stojanova nga Organizata e Grave – Veles, si dhe ambasadorët e Spanjës dhe Francës, Sh.T. Rafael Soriano Ortiz dhe Sh.T. Christophe Le Rigoleur. Debati u koncentrua në gjendjen e përgjithshme në vend dhe sfidat specifike lokale, hendekun mes ligjeve në letër dhe zbatimit të tyre, si dhe normat alarmante të femicidit në Maqedoninë e Veriut.

Për të gjetur zgjidhje të përshtatshme, diskutimi përfshiu edhe shembuj pozitivë nga Evropa që kanë treguar sukses në përballimin e këtyre problemeve. Në këtë drejtim, u diskutua rëndësia e vetëdijes së lartë shoqërore dhe e zgjidhjeve sistemore që aplikohen në Spanjë, siç është vendosja e shtresave shtesë të kontrollit përmes sistemit të byzylykëve elektronikë për monitorimin e autorëve të dhunës ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit të afrimit. Po ashtu, përmes përvojës franceze dhe rastit të fundit me Gisèle Pelicot që tronditi opinionin publik, u theksua se sa traumatike janë këto raste për viktimat dhe si rastet e mëdha mund të nxisin ndryshime thelbësore dhe zgjidhje ligjore më efektive në trajtimin e dhunës me bazë gjinore.

Panel-diskutimi përfundoi me një mesazh të fortë se janë të domosdoshme ndërhyrje urgjente, afatshkurtra dhe afatgjata, për të mbyllur hendekun mes raportimit të rastit dhe mbrojtjes reale të viktimës në terren. U theksua qartë se përgjegjësia për trajtimin e këtij problemi i takon të gjithë qytetarëve, ndërsa parandalimi fillon që në moshë të hershme – përmes edukimit në familje dhe në sistemin arsimor.

Në fund, u nënvizua se ky aktivitet është vetëm fillimi i një serie ngjarjesh të dedikuara barazisë gjinore, të cilat përmes këtij karavani kombëtar do të zhvillohen në të gjithë vendin.