Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër pas publikimit të një videoje nga Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ku tallet me aktivistët e “Flotiljes Globale Sumud”, mes të cilëve ndodhet edhe një shqiptar.
Në reagimin e tij në platformën X, Hoxha e cilësoi videon “tronditëse dhe të papranueshme”, duke theksuar respektimin e dinjitetit njerëzor, të drejtave të njeriut dhe normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare për të gjithë aktivistët e ndaluar nga forcat izraelite.
“Imazhet e publikuara nga Ministri Itamar Ben-Gvir që tregojnë trajtimin poshtërues të aktivistëve të ndaluar të flotiljes janë tronditëse dhe të papranueshme. Të gjithë personat e ndaluar duhet të trajtohen me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar”, shkruan Hoxha.
Ai njoftoi gjithashtu se i ka dhënë udhëzime Ambasadës së Shqipërisë në Tel Aviv që të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite, me qëllim sigurimin e ndihmës konsullore për qytetarin shqiptar.
“Kam udhëzuar Ambasadën tonë në Tel Aviv që të mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me autoritetet izraelite në mënyrë që të sigurohet që qytetarit tonë t’i ofrohet ndihma e duhur konsullore, sipas nevojës dhe në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”, shkruan minsitri.
Videoja e publikuar nga Ben-Gvir shfaq ministrin duke u tallur me mbi 400 aktivistë të ndaluar të lidhur me një mision humanitar drejt Gazës, pjesë e një nisme të njohur si Flotilja Globale Sumud. Aktivistët ishin ndaluar nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare gjatë përpjekjes për të dërguar ndihma në Rripi i Gazës.
Sipas raportimeve, aktivistët janë transportuar në portin e Ashdod, ku janë filmuar të gjunjëzuar, me sy të lidhur dhe me duar të prangosura.
Pamjet kanë shkaktuar reagime të forta nga disa liderë evropianë dhe organizata ndërkombëtare, të cilët i kanë cilësuar ato si “të turpshme” dhe “të papranueshme”, duke ngritur shqetësime për shkelje të dinjitetit njerëzor dhe standardeve ndërkombëtare të trajtimit të të ndaluarve.
