Një shpërthim është dëgjuar në orën 3 të mëngjesit të sotëm në rrugën kryesore “Gjorçe Petrov” në Shkup. Furra e bukës në të cilën ndodhi shpërthimi është pronë e familjes së nënkryetarit të opozitares VMRO-DPMNE, Vllado Misajllovskit.
Ai në Facebook ka hedhur një video të ngjarjes disa minuta pas shpërthimit dhe pasi zjarrëfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin, raporton TV21. Misajllovski ka treguar se dyqani i vogën është i familjes së tij në të cilën punojnë me dekada ndërsa shkruan se eksplozivi i hedhur ka shkaktuar dëme materiale.
“Falë Zotit nuk ka viktima në njerëz e as nuk është lënduar njeri. Vazhdohet në mënyrën e njëjtë tradita piromane, kur edhe më parë gjatë zgjedhjeve të 2017-tës kishte zjarr në shtëpinë time. Nuk do të hyj në atë se çfarë e si, kush e cila është porosia. Mesazhi që e dërgojnë tek unë para fillimit të fushatës shkruhet vetë, por përgjigja është se nuk do të më lëvizni nga vendi, as nuk do të më frikësoni!” ka shkruar Misajllovski.
Në statusin e tij në Facebook ai po ashtu ironizon me pushtetin të cilët përdorin sloganet e tipit “mundemi”, “në rrugë të drejtë” dhe se çdo gjë është “normale”, por siç shkruan nënkryetari i DPMNE-së, në terren gjërat janë ndryshe.

Për këtë ngjarje kanë informuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut. Nga atje shkruajnë se më 21 qershor 2020 në orën 03:40 është paraqitur se në rrugën “Gjorçe Petrov” po del tym nga furra që është në pronësi e B.M, 62-vjeç, ndërsa paraprakisht është dëgjuar edhe një shpërthim.
“Me arritjen e zyrtarëve policorë në vendin e ngjarjes është vënë re se dera ishte e hequr totalisht dhe se janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa ekziston bazë dyshimi se bëhet fjalë për mjet të improvizuar shpërthyes. Të lënduar nuk ka. Po punohet për zbardhjen e rastit”, shkruhet në raportin e shkurtër të policisë, përcjell TV21.
