VIDEO/ Protestuesit tentuan të rrëzojnë përmendoren e një presidenti të SHBA-së në Uashington

TË FUNDIT

Protestuesit tentuan ta rrëzojnë përmendoren e Endru Xhekson, presidentit të shtatë të SHBA-së mbrëmë në një park në afërsi të Shtëpisë së Bardhë por policia i dëboi para se të arrijnë ta rrëzojnë atë me litarë.

Protestuesit tentuan ta shkatërrojnë statujën e Xheksonit që ndodhet në sheshin Lafajet, një prej vatrave kryesore të përplasjeve midis protestuese dhe policisë.

Statuja e njohur prej bronzi është e fundit nga përmendoret të cilat protestuesit nëpër SHBA tentuan t’i rrëzojnë pasi afroamerikani Xhorxh Flojd vdiq gjatë arrestimit policor nga fundi i muajit maj. Bëhet fjalë për përmendore të personaliteteve historike të cilët protestuesit i konsiderojnë si raciste ose lidhur me robërinë. Cak i protestuesve zakonisht ishin përmendoret e gjeneralëve të Konfederatës, por janë shkatërruar edhe statujat e Kristofer Kolumbos.

Tramp shkroi në Tuiter se shumë njerëz janë arrestuar për “vandalizëm të turpshëm” në parkun Lafajet dhe për dëmtimin e pjesës së jashtme të kishës Shën Xhoni në sheshin Lafajet.

“Dhjetë vite burgim sipas ligjit për ruajtjen e veteranëve. Kini kujdes”, paralajmëroi Tramp.

Incidenti ka ndodhur mbrëmë kur protestuesit të cilët kryesisht kanë mbajtur maska për shkak të pandemisë kanë depërtuar mbi një rrethojë të vendosur ditëve të fundit për ta mbrojtur përmendoren në qendër të parkut.

Dhjetëra pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë intervenuar dhe i kanë dëbuar me shufra dhe gaz lotsjellës./MIA