VIDEO/Kosovë, tollovi dhe radhë të gjata për vaksinim

TË FUNDIT

Sot ka rifilluar vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 65-vjeç në të gjithë vendin. Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë janë krijuar radhë të gjata, duke shkaktuar tollovi të madhe para hyrjes së sallës, ndërkohë që për këtë, Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vijnë si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre.

“Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen. Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSH-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.