Fushata e terrorit e Shtetit Islamik në Siri është një prej arsyeve se pse shumë sirianë ja kanë mësyrë Evropës, në kërkim të një jete më të mirë. Bashkimi Evropian ka theksuar se mposhtja e kësaj organizate do të eliminohej një prej shkaqeve kryesore të krizës.
Bashkimi Evropian është tejet i brengosur dhe i vetëdijshëm se vetëm mposhtja ushtarake e Shtetit Islamik mund të hap rrugën për zgjidhjen politike të krizës në Siri.
Unioni theksoi se me këtë do të eliminohej edhe shkaktari kryesor i valës së refugjatëve sirianë të luftës, por përpjekjet e koalicionit ndërkombëtarë për të arritur këtë qëllim, tashmë kanë shkaktuar përçarjet në qarqet kryesuese të Bashkimit Evropian.
Gazeta franceze, Figaro, shkroi se partnerët perëndimor po shtrojnë pyetjet se pse edhe pas një viti të plotë aksionet ushtarake kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak nuk po japin rezultatet e dëshiruara dhe se shtetet perëndimore janë të vetëdijshme se fitorja nuk mund të arrihet pa një intervenim tokësor.
Në Irak tashmë janë të angazhuara Franca dhe Britania dhe këto dy vende janë të gatshme që me anë të sulmeve ajrore në Siri të ndihmojnë forcat amerikane, në përpjekje për të shkatërruar militantët islamikë.
Disa medie franceze po spekulojnë se po qarkullon edhe ideja e dërgimit të forcave tokësore dhe se Londra dhe Parisi në të njejtën kohë synojnë edhe përmbysjen e regjimit të Presidentit, Bashar Al Asad.
Ky skenar po kundërshtohet me vendosmëri nga Rusia dhe Irani, të cilat kanë ofruar që të përfshihen në koalicionin ndërkombëtarë për shkatërrimin e Shtetit Islamik, por si Moska, ashtu edhe Teherani janë të mendimit se zgjidhja e qëndrueshme politike nuk mund të arrihet pa Asadin.
Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit, Xhon Keri, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, të cilit ja ka përcjellë brengën e Uashingtonit për shkak të përfshirjes së mundshme ushtarake të Rusisë në Siri, duke shtuar se ky angazhim vetëm sa do ta përkeqësonte konfliktin dhe do të shtonte numrin edhe ashtu të madhe të refugjatëve nga Siria./ 21 Media
