Prej ku vijnë kërcënimet për bomba dhe a do të zbulohen dërguesit e mesazheve kërcënuese, kryeministri Dimitar Kovaçevski pa paralajmërime optimiste. Thotë se është pothuajse e pamundur të identifikohen, sepse e-mailet dërgohen nga adresa virtuale jashtë vendit. Megjithatë, Kovaçevski qetëson se gjendja e sigurisë në vend është e qëndrueshme.
“Te shumë prej denoncimeve, bëhet fjalë për denoncime që dërgohen përmes lidhjeve VPN të instaluara jashtë vendit të cilat nuk mund të zbulohen menjëherë, gjegjësisht është thuajse absolutisht e pamundur të zbulohet se prej ku vjen denoncimi, sepse VPN-të janë rrjete private virtuale të instaluara në vende të huaja dhe për këtë arsye punojmë me shërbimet partnere”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Edhe pse Kovaçevski thotë se MPB-ja po e kryen punën e saj tërësisht dhe me sukses në lidhje me denoncimet për bombat, ministri Oliver Spasovski nuk paraqitet para opinionit publik për të sqaruar deri ku është hetimi dhe çka është zbuluar deri më tani. Para një muaji, ai pohonte se kanë indikacione lidhur me atë se kush po i dërgon e-mailet kërcënuese për bomba dhe se së shpejti do të dalin me raport të plotë.
“Thashë se jemi kah fundi sa i takon pjesës së realizimit. Kjo do të thotë se kur do t’i përfundojmë të gjitha kontrollet dhe kur do t’i vërtetojmë faktet, do t’i ndërmarrim të gjitha masat, jo vetëm për identifikim, por edhe diçka më shumë”, theksoi Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme .
Por, nga rezultati i deritanishëm nga hetimi i MPB-së dihet vetëm se është identifikuar një i mitur i cili ka marrë pjesë në këto kërcënime dhe nga kompjuteri i tij ka dërguar mesazhe për bomba në katër shkolla, pas çka kundër tij është ngritur padi penale. Edhe pas kësaj, kërcënimet vazhduan të vijnë në shumë adresa në vend. Për këtë arsye, njësitë operative kundër terrorizmit vazhdimisht po qëndrojnë në terren. Kovaçevski thotë se përveç në vendin tonë, alarme për bomba ka edhe në Mal të Zi dhe Serbi, duke shtuar se janë në komunikim me shërbimet partnere.
“Po, ata komunikojnë çdo ditë me shërbimet partnere edhe nga NATO, edhe nga vendet e tjera partnere me të cilat kemi bashkëpunim strategjik. Gjatë hetimit të këtyre sulmeve hibride për qëllime strategjike apo sulme lokale për ndonjë objektivë tjetër, bëjnë analiza së bashku me shërbimet e sigurisë, Agjencinë për Siguri Kombëtare, Sektorin kundër Terrorizmit. E sa u përket masave, pas çdo denoncimi të marrë, të njëjtat duhet të procedohen sipas Protokollit të plotë pa improvizuar në asnjë aspekt”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Fillimisht kërcënime për bomba merrnin vetëm shkollat, e pastaj denoncime filluan të mbërrijnë edhe për Qendrën Tregtare të Qytetit, East Gate Mall, Xhevahir Siti, kurse dje edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se MPB-ja deri tani duhej ta kishte zbuluar se kush qëndron pas këtyre kërcënimeve dhe kërkuan nga Spasovski të japë dorëheqje.
