Veseli: Nëse del diçka e vërtetë në rastin e fajdes, jap dorëheqje!

TË FUNDIT

Deklarohet Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur rreth disa videomaterialeve në rastin me fajde që janë publikuar në media, në të cilat përmendet edhe emri i Veselit. Veseli në një konferencë të jashtëzakonshme ka deklaruar se nuk ka lidhje me këtë rast dhe as me personat e përfshirë në të.

“Nëse del vetëm një indikacion i përfshirjes sime në këtë aferë, nga sot deklaroj se do do të japë dorëheqje, ky eshte morali im, ky është besimi im jetësor, kjo është politika ime, e them me siguri të plotë. E them me siguri të plotë, emri im është keqpërdorur në këtë akt të mashtrimit, kur të dalë e vërteta, dikush duhet të japë llogari. Kërkoj që të sqarohen disa çështje që mund të ngritën nga ky rast, si është e mundur që për këtë rast të ndërmerren veprime”, ka deklaruar ndër tjerash Veseli.

Veseli ka deklaruar se PDK-ja nuk është e involvuar në këtë krim dhe ka kërkuar të sqarohen disa çështje, që mund të ngritën natyrshëm nga ky rast dhe që ka të bëjë edhe me funksionimin e organeve dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

“Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar, që paska pasur fakte në vitin 2013, të ndërmerren veprime me 6 vjet vonesë? Kush është ai, ose ata persona që e kanë mbuluar këtë krim të organizuar për më shumë se 6 vjet? Kujt dhe për çfarë llogarie i është dashur kjo vonesë që paska mundësuar edhe mbulimin dhe mos-dënimin e veprave penale? Pse këto video-incizime kanë qenë në sirtarë të policisë apo të prokurorisë për kaq shumë vjet dhe nuk janë trajtuar në kohë dhe me veprime të duhura?”, ka thënë Veseli, duke shtuar se kësaj pune do t’i shkohet deri në fund./21Media