Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Memedi në emisionin “10 Minuta” në TV 21 deklaroi se partitë qeverisëse BDI dhe VMRO-DPMNE po i bëjnë obstruksione Marrëveshjes së Përzhinos.
Sipas tij, kjo ndodhi me propozim – ligjin për ndërprerjen e publikimit të materialeve të përgjimeve. “Partia në pushtet BDI së bashku me VMRO shpejtuan, duke mos e respektuar Marrëveshjen e Përzhinos, pa i respektuar edhe parimet tjera që janë pjesë e asaj marrëveshje, ndërsa shkuan direkt dhe shpejtuan në propozimin e këtij ligji. Ky ligj duhej të pasohej shumë më vonë, kur do të dorëzoheshin dosjet deri te prokurorja speciale”, vlerësoi Memedi.
Ai tha se Prokurorja Speciale, me përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë, duhet të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën nga materialet e përgjimeve. “Unë besoj se ky institucion special, që e ka edhe përkrahjen e ndërkombëtareve dhe atë të amerikanëve, besoj se me ndihmën e tyre do të mund të dale në sipërfaqe për atë punë që është përcaktuar ky institucion i prokurorisë speciale”, tha kryetari i RDK.
Duke komentuar mungesën e vullnetit politik për unifikimin e partive opozitare shqiptare, Memedi vlerësoi se një gjë e tillë duhet të realizohet, për të mos ndodhur, siç tha, dëshpërimi i qytetarëve. “Mendoj se presioni mediatik që i është bërë bllokut opozitar shqiptar nuk ka qenë i drejtë. Presioni ka qenë aq shumë i madh nga ana e mediave të ndryshme, që ka qenë e patjetërsueshme – do të duhet të realizohet kjo dhe tani, nëse nuk realizohet, njerëzit dëshpërohen pse nuk realizohet kjo. Blloqet zakonisht bëhen në mënyrë natyrale, nuk bëhen nga presioni i mediave”, potencoi ai.
Lidhur me pakon e zgjedhjeve, Memedi më tej theksoi se RDK është për një njësi zgjedhore me lista të hapura, pasi që sipas tij, ky model ndikon në demokratizimin dhe transparencën e zgjedhjeve në Maqedoni.
Intervistoi: Artan Nuhiu
