Vërshime të mëdha kanë përfshirë sot Tetovën dhe rajonin e Tetovës. Informacionet nga tereni flasin për 5 viktima, 3 fëmijë dhe 2 të moshuar. Qytetarë nga zonat e dëmtuara kanë denoncuar në televizionin Alsat për katër viktima në fshatin Shipkovicë, dy fëmijë dhe dy të moshuar. Ndërkaq për një fëmijë tjetër mësohet të ketë humbur jetën në fshatin Reçicë.
Ekipe të televizionit janë në terren për të verifikuar informatat, ndërsa zyrtarisht institucionet ende nuk kanë dalë me të dhëna zyrtare. Gjithë qyteti dhe rajoni i Tetovës janë nën ujë ndërsa ka vërshim të lumit Shkumbin.
Reshjet e rrëmbyeshme kanë shkaktuar edhe rrëshqitjen e dheut. Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim po punon në teren dhe apelon deri te banorët e rajonit të Tetovës të zvogëlojnë frekuentimin e lëvizjes në veçanti të ulin frekuentimin me makina me qëllim që makineria të punoj. Më së shumti në rajonin e Tetovës janë prekur fshati Reçicë e Vogël, rruga 172, thuajse e përmbytur e gjitha.
Situatë e keqe është edhe në Malësinë e Sharrit, konkretisht në Shipkovicë, si dhe në fshatin Proj.
N ë Reçicë të vogël, uji ka depërtuar në të gjitha katet e para dhe përdhese të shtëpive. Popullata po mundohet privatisht të ndihmojnë njëri-tjetrin, por nga Komuna dhe Ndërmarrja publike ende nuk kanë dalë në terren.
Përmbytje edhe në rajonin e Tearcës. Fshati Dobrosht është përfshirë gjithashtu nga uji, dhe madje, ka rrëshqitje të malit. Nga ana tjetër, dëme tarracash ka edhe nëpër qytet, kurse më në krizë është lagja e poshtme e Tetovës, ku nga vërshimet e ujit janë mbledhur gurë dhe dru, që kanë përfunduar në shtëpitë e kësaj lagjeje.
———–
Shkup, 3 gusht – Për shkak të situatës së jashtëyakonshme në Tetovë, qeveria e Maqedonisë ka caktuar mbledhje urgjente gjatë ditës së nesërme në ora 12.00 ku do të disktuojë situatën e shkaktuar në Tetovë dhe do të formojë grupe që do të vlerësojnë dëmet dhe do t’i ndihmojë qytetarët, mëson “Zhurnal” nga burime brenda qeverisë.
Aktualisht në Tetovë po bëhet pastrimi i rrugëve nga dëmet e shkaktuara.
————-
Duke e parë situatën në Tetovë ku ka disa të vdekur, të plagosur dhe shumë dëme materiale, kryeministri Nikolla Gruevski ka paralajmëruar vizitë në rajonin e Tetovës.
Përkundër kësaj, partitë shqiptare ende nuk kanë reaguar që të dalin në terren për të qëndruar afër qytetarëve. Qytetarët nëpër rrjetet sociale bëjnë apel për ndihmë!




