Verdhekuqtë stërviten në kampin e Ajaksit, të hënën në arenën “Johan Krojf” përballen me Holandën

TË FUNDIT

Nga Bukureshti përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll udhëtoi për në Amsterdam. Atje ka shkuar edhe ekipi i TV21 për të ndjekur skuadrën nga afër. Futbollistët po stërviten në qendrën sportive të klubit më me renome të Holandës.

“Jemi këtu në qendrën e sportit të klubit futbollistik Ajaksi, ku përfaqësuesja verdhekuqe po zhvillon stërvitjen para ndeshjes me Holandën. “Tulipanët” tashmë kanë siguruar plasman për në fazën e nokautit, ndërsa përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut me ndeshjen me Holandën e përfundon aventurën e kampionatit evropian EURO 2020”, raporton gazetari – Artan Nuhiu.

Zëdhënësi i FFM-së Faton Zylberai i cili gjatë tërë kohës ka qëndruar afër lojtarëve, për TV21 thotë se futbollistët duan që në ndeshjen me Holandën të lënë përshtypje pozitive, sepse siç tha, historia është bërë me vetkualifikimin në Euro2020.

“Natyrisht që pas dy ndeshjeve të humbura ndjehet, është fakt që në sport apo në çdo garë kërkon rezultat pozitiv e në kushte kur humb ndjehet, por situata është njësoj sikur para se të vinim. Dëshirojmë të vendojmë shenjë në një turne madhor ku marrim pjesë për herë të parë sepse historia është bërë me vet kualifikimin”, u shpreh Faton Zylbehari, zëdhënës i FFM-së.

Edhe pse Maqedonia nuk ka gjasa për plasman të mëtutjeshëm Zylbeari thotë se brenda ekipit akoma ekziston motivi për të dhënë maksimumin.

“Besoj që nuk ka motiv më të madh se sat ë luash me Holandën në një KE, nuk është miqësore kjo, luajmë në evropian dhe besoj që edhe këto 90 minuta duhet të shijohen maksimalisht dhe motivi është i pranishëm”, shtoi më tej ai.

Ndeshja Maqedoni e Veriut-Holandë do të zhvillohet të hënën në ora 18h në stadiumin i cili e mbanë emrin e legjendës së futbollit holandez Johan Krojf. Për TV21 nga Amsterdami, Artan Nuhiu.