Vendoset shiriti i verdhë në lokalitetin arkeologjik/ Inspektorati i Ndërtimtarisë ndërpreu gërmimet

TË FUNDIT

Inspektorati shtetëror i ndërtimit vendosi shiritin e verdhë në lokalitetin arkeologjik në të cilin po bëhen gërmime arkeologjike pas të cilave terreni mund të pastrohet dhe t’i lihet vend ndërtimit të objekteve.
Derisa po vazhdonin gërmimin, inspektorët shkuan për t’i inspektuar, por pasi arkeologët nuk kishin asnjë dokument me vete, inspektorët i detyruan t’i ndërpresin punimet dhe të largohen nga hapësira.

“Për momentin është vendosur shiriti për mos hyrje brenda. Është e ndaluar hyrja brenda për derisa nuk i sjellin dokumentacionin për të parë nëse është gjithçka në rregull”, deklaroi Ilaz Leskovica, inspektor i Ndërtimit.

Burime nga Komuna e Karposhit për TV21 na thanë se në atë lokalitet edhe sipas PDU është paraparë të ndërtohet ndërtesë, ndërsa nga kryetari i kaluar është dhënë leja për ndërtim.
Për këto informata kërkuam edhe zyrtarisht përgjigje nga komuna e Karposhit, por përgjigje nuk morëm.
Por drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike Arian Asllanaj thotë se derisa bëhen gërmime arkeologjike nuk mund të ketë ndërtime.

“Derisa ka gërmime arkeologjike, pasi që të kryhen të jepet një përmbledhje e gjitha punimeve arkeologjike, andaj do të shihet se a do të ndërtohet diçka atje, apo diçka tjetër, atë nuk e di, por derisa janë punimet arkeologjike nuk ka kurrfarë…. nuk guxon që të ndërtohet në atë pjesë”, tha Asllanaj.

Ndryshe në këtë lokalitet nga pamjet duket se ka shumë artefakte të lashta, e njëra prej tyre ishte edhe pllaka me mbishkrimin Dardanus, pllakë e cila tashmë u zhvendos në lokalitetin arkeologjik Skupi.
Por historiani Muzafer Bislimi thotë se nëse në një hapësirë ka më shumë artefakte ndërtimi mund të ndalohet tërësisht.

“Por nëse lokaliteti ka aq shumë artefakte të cilat kanë të bëjnë me historinë e popujve që jetojnë këtu në Maqedoni prona private, faktikisht ndërtimi mund të ndalohet tërësisht”, u shpreh Bislimi.

Për momentin punimet kanë pushuar, ndërsa inspektori Leskovica tha se nesër në ora 12:00 e pret dokumentacionin e plot për të parë nëse gjithçka është në rregull.
Ndryshe sipas historisë, Dardanët ishin fis Ilir që shtriheshin në mesin e Ballkanit, kryesisht në Kosovën e sotme dhe rrethinën e saj dhe ata ishin fisi themelues i Mbretërisë së Dardanisë rreth shekullit IV p.e.s.