VENDIMI PËR MINIERËN “KAZANDOLL” ËSHTË I DREJTË, GJYKATA ADMINISTRATIVE VENDOSI NË FAVOR TË QEVERISË

TË FUNDIT

Gjykata Administrative e hodhi poshtë padinë e Sardiç MC, për  koncesionin e minierës “Kazandoll”, kundër Qeverisë së Maqedonisë për ndërprerje të njëanshme të Marrëveshjes, bëjnë me dije nga Qeveria. Në vendimin e Gjykatës, i cili ka hyrë në fuqi, thuhet se vendimi i Qeverisë për ndërprerjen e kontratës për minierën “Kazandoll” është i ligjshëm.

Gjykata ka vërtetuar se mbi bazë të gjendjes së plotë faktike, Qeveria në mënyrë të drejtë e ka zbatuar të drejtën materiale, kur paditësit “Sardiç MC”, në mënyrë të njëanshme ia ka ndërprerë Marrëveshjen për koncesion. Arsyet, të cilat konsiderohen se janë bazë, është se koncesioneri brenda dy viteve, deri në ditën e dhënies së koncesionit, nuk i ka plotësuar obligimet e tij – të ndërtojë një stacion për eksploatimin e bakrit katodë, i cili do të kishte kapacitet për të procedojë së paku 50% të xehes së shfrytëzuar dhe pas dy viteve nga fillimi i eksploatimit të minierës së dytë, të ndërtojë fabrikë për prodhim të produkteve finale nga bakri katodë, me kapacitet të paktën të njëjtë me kapacitetin e stacionit për eksploatim të bakrit katodë, thuhet në vendim.

Nga Qeveria thonë se mbesin në qëndrimin e tyre se i përkrahin investimet në vend dhe se krijojnë klimë për avancim ekonomik dhe cilësi, por ekskluzivisht në bazë të normave dhe rregullave të përcaktuara ligjore. Ndërkohë, eko-aktivistët nga pjesa juglindore, për nesër paralajmëruan karvan alarmues në Strumicë dhe në fshatrat të cilat janë kundër ndërtimit të minierës për bakër dhe ar “Illovica Shtuka”.

“Qeveria, e cila duhet ta marrë koncesionin që nga viti 2016, nuk ka qëndrim lidhur me këtë çështje. Durimi i popullit, i njerëzve, i atyre që nga arsye të qarta nuk duan këtu të ketë minierë, sikur të filloj të zhduket. Është e qartë se duhet të merret koncesioni dhe me këtë ngjarje duam ta tërheqim vëmendjen e opinionit publik, se koncesioni duhet të merret”, u shpreh Stojan Velkov, Eko-Aktivist.

Organizatorët thonë se karvani do të përbëhet nga makina dhe motorë, të cilët do të kalojnë afër 60km në shtegun e planifikuar, duke u lëvizur në kolonë me shpejtësi të ulët.

Përgatiti: Katerina Dafçeva