“Vendimi i MPJ-së – shuplakë për BE-në”
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, mori vendim që të mos lejojë hyrjen e asnjë zyrtari të Serbisë në Kosovë. Sipas zyrtarëve të MPJ-së, ky reagim i Kosovës vjen pas inskenimit të së ashtuquajturës krizë humanitare në veri nga ana e Serbisë.
Lidhur me këtë vendim të kësaj ministrie reagoi ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq. Ai tha se ky vendim i Kosovës është shuplakë për Bashkimin Evropian.
“Vendimi i autoriteteve të Prishtinës, është pa precedente dhe një shuplakë tjetër, jo për Beogradin, por për gjithë Unionin Evropian dhe për komunitetin ndërkombëtar, e cila po hesht me turp për shkeljen e të gjitha normave civilizuese që po e bëjnë Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi. Pasi popullin tonë në Kosovë e Metohi e kanë lënë pa ilaçe e pa bukë, duke mbrojtur taksat e tyre të marra, me këtë ndalesë duan që edhe më shumë ta izolojnë nga çfarëdo ndikimi të Beogradit”, tha Daçiq.
I gjithë ky reagim erdhi pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës, që më 2 korrik kanë nënshkruar marrëveshjen ndërministrore për bashkim të përfaqësive diplomatike e konsullore dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme. Përveç Daçiqit, ka reaguar ashpër edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila e cilësoi këtë marrëveshje të tmerrshme. Ajo i tha televizionit Pink, se është skandaloze që deri më tani, nuk ka asnjë reagim nga Shtetet e Bashkuara, dhe se nënshkrimi i kësaj marrëveshje me qëllim është bërë në kohën kur po zgjedheshin udhëheqësit e rinj të BE-së, pasi në këtë mënyrë nuk do të kishte reagim nga Brukseli.
Marrëveshja është firmosur nga Ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, Behgjet Pacolli dhe Gent Cakaj. Pacolli është shprehur i lumtur për këtë marrëveshje dhe është zotuar se Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë nga afër politiken e jashtme, do të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe do të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave tona kombëtar. Në anën tjetrër, Cakaj ka sqaruar se kjo marrëveshje është bazuar në katër shtylla kryesore, nga pikëpamja politike, diplomatike, profesionale dhe kulturore./21Media

