Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, pranë Këshillit të Europës në Strasburg, pas inspektimit të projektit në terren, ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë që të ndërpresë implementimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit.
Në draft-rekomandimin e hartuar nga ekspertët e Këshillit të Europës rekomandohet që të ndërpritet ky projekt. Draft-rekomandimi do të paraqitet për miratim në seancën që pritet të mbahet në datat 1 deri 4 dhjetor.
Komiteti i Përhershëm ka kërkuar që të pezullohet menjëherë zbatimi i projektit për ndërtimin e hidrocentralit në territorin e Parkut Kombëtar të Mavrovës, duke marrë parasysh të gjitha specifikat e këtij parku që është një nga zonat me biodiversitet të larmishëm dhe një ambient i një numri të madh specieve të mbrojtura.
Po ashtu theksohet se këto projekte mund të kenë ndikim edhe në rrjedhën natyrale të lumenjve.
Me këtë argumentim, Këshilli i Europës fton Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Botërore që të përdorin mënyra më të kujdesshme dhe të marrin parasysh, pezullimin e financimeve të projekteve të hidrocentraleve në Maqedoni, në përputhje me rekomandimet e bëra.
Devijim i Radikës ishte çështje debati midis Shkupit dhe Tiranës. Dy ministrat e atëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë, Valon Saraçini dhe Abdilaqim Ademi në takimin e janarit të vitit 2014 me kryeministrin shqiptar Edi Rama biseduan lidhur me këtë çështje, duke informuar se ideja për realizimin e projektit të quajtur “Fusha e Llukovës”, daton qysh nga viti 1939 dhe se bëhej fjalë vetëm për një projekt ideor.
Në takim ishte nënvizuar se ky projekt nuk realizohet nëqoftëse edhe një argument më i vogël, dëshmon qe mund të shkaktohen dëme në mjedisin jetësorë apo mund të shkaktojë dëm për banorët e Dibrës. Këtë e dëshmoi edhe vendimi i Këshillit të Evropës që i rekomandoi Qeverisë së Maqedonisë ndërprerjen e realizimit të këtij projekti.
