“Vendimet e Kushtetueses sipas programit të VMRO-së”, Ahmeti i dërgon letër edhe Mickoskit, por kryeministri nuk e ka lexuar

TË FUNDIT

Pasi u dërgoi letër krerëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe disa funksionarëve të lartë ndërkombëtarë ku paralajmëron se rrezikohen Marrëveshja e Ohrit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, letër të ngjashme i dërgoi edhe kryeministrit Hristijan Mickoski. Në të Ahmeti shkruan se vendimet e Gjykatës kushtetuese për shfuqizimin e Balancuesit dhe vendimi në vijim për Ligjin për gjuhët do të ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike, andaj kërkon prej tij që t’i rishqyrtojë ato.

“Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat duket se janë ekzekutim i programit të partisë suaj për të shfuqizuar mekanizmat kyç për mbrojtjen e komuniteteve, kanë shkaktuar shqetësim tek të gjithë qytetarët që janë të përkushtuar për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike të qëndrueshme në Maqedoninë e Veriut. Vendimet për të ndryshuar apo për të rishikuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili është element kyç i Marrëveshjes së Ohrit, nuk janë vetëm politikisht të diskutueshme, por edhe të dëmshme për përparimin dhe bashkëpunimin mes komuniteteve. Ky është një zhvillim që mund të minojë përfitimet e fituara me përpjekje të mëdha dhe ta kthejë vendin në periudha pasigurie. Prandaj, ju bëj thirrje të reflektoni me maturi dhe përgjegjësi për këto vendime që kanë potencial të dëmtojnë kohezionin shumëetnik në Maqedoninë e Veriut”, thekson kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

I pyetur për letrën e Ahmetit, kryeministri Mickoski u përgjigj shkurt se nuk e ka parë.

“Jo, jo. Nuk e ka parë, unë në bazë ditore marr shumë letra dhe i lexoj, marr shumë mesazhe, me kujdes të madh jam në komunikim me qytetarët. z. Ahmeti është qytetar dhe duhet t’i kushtoj shumë vëmendje çdo letre prej çdo qytetari, kur ta marr do ta komentoj. Ne nuk humbim kohë duke shkruar letra por duke punuar dhe ashtu do të vazhdojmë”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.

Ahmeti dje u dërgoi letër presidentit të Shqipërisë dhe kryeministrit të Kosovës, si dhe kryetares së Komisionit europian, Ursula von der Lejen, kancelarit gjerman Olaf Sholc, presidentit të Francës, Emanuel Makron dhe sekretarit shtetëror të SHBA-ve, Entoni Blinken. Letra e djeshme dhe letra e sotme deri te Mickoski janë me përmbajtje të ngjashme ku Ahmeti e shpreh shqetësimin e tij për ndodhitë politike dhe kushtetuese në vend, që, siç shtoi i rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në vend.